Shembja e dhjetëra objekteve në bashkitë më të prekura nga tërmeti ka prodhuar mijëra ton inerte. Në bashkinë e Shijakut ato presin të hiqen për t’i hapur rrugë rindërtimit. Deri më sot fadromat e IKMT-së si dhe shembjet e kontrolluara me tritol kanë rrafshuar 13 pallate nga 18 që janë në total. Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga shembja e disa pallateve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në lagjen Lugina.

“Malet” e interteve nuk janë hequr ende . Me të drejtë lind pyetja. Ku do të përfundojnë këto inerte? Kryetari i Bashkisë së Shijakut Elton Arbana thotë për News24 se inertet do te depozitohen në venddepozitimin e Porto-Romanos ashtu sikurse parashikon VKM e 16 dhjetorit të kaluar.

“Deri tani në bashkinë Shijak janë demoluar 13 pallate, janë edhe pesë pallate të tjerë për tu demoluar, në total janë 18 pallate. Inertet deri tani janë depozituar në vendet ku pallatet kanë qenë për momentin. Sapo të bëhet demolimi i pesë pallateve të tjera ne do të bëjmë evadimin dhe depozitimin e këtyre mbetjeve. Duhet do t’i çojmë në venddepozitimin që është në Porto-Romano”,- u shpreh Elton Arbana, kryetar i Bashkisë së Shijakut.

Por zhvendosja e mbetjeve inerte sipas Arbanës nuk është aspak e lehtë për tu përballuar pasi ka kosto. Shpresat janë tek mbulimi i kostove nga ministria e shtetit për rindërtim dhe fondit shqiptar të Zhvillimit.

“Ne i kemi bërë një shkresë ministrisë së linjës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit pasi është njësi prokurimi dhe njësi zbatimi për objektet që do të rindërtohen nga e para. Ne do bëjmë pjesën tonë të bashkisë me aq mundësi sa kemi. Sipas ekspertëve tanë për të gjithë jo vetëm për “lagjen Lugina” pasi nuk janë vetëm 18 pallate në bashkinë e Shijakut por janë edhe 800 banesa individuale si dhe 12 pallate të tjera rreth bashkisë sonë që do të demolohen. Kemi bërë një kalkulim kemi 350 ton mbetje të ngurta. Ne mundësitë tona i kemi të kufizuara, nuk mund ta bëjmë dot 100% pastrimin e tyre. Në bashkëpunim me ministrinë e rindërtimit dhe fondit shqiptar të zhvillimit ne jemi në pritje të bëjmë edhe demolimin e objekteve të tjera. Kjo punë duhet të mbarojë qe ne t’i kthejmë sheshet e ndërtimit në favor të firmave që do të bëjnë rindërtimin”,- Elton Arbana, kryetar i Bashkisë Shijak.

Arbana thotë se bashkia që drejton i ka mbyllur dosjet e 2700 familjeve të prekura nga tërmeti dhe se firmat e ndërtimit presin dritën jeshile për të filluar punën për rindërtimin e banesave kolektive.

“Në bashkinë e Shijakut janë 2700 familje të prekur nga tërmeti kemi mbyllur dosjet dhe presim financimin nga ministria e rindërtimit. Bashkia e Shijakut është një ndër bashkitë e para që i ka vlerësuar të gjitha dosjet e familjeve të dëmtuara. Për banesat individuale brenda vitit 2020 do futen për banesat e tyre të reja për banesat kolektive pallatet për një vit e gjysmë qytetaret do të kenë mundësi të futen në banesat e tyre”,-tha Elton Arbana, kryetar i Bashkisë së Shijakut.

Qindra tonë inerte në Bashkinë e Shijakut nëse nuk grumbullohen në venddepozitimin e përcaktuar nga qeveria rrezikojnë të kthehen në një bombë të vërtete ekologjike me pasojë shkatërrimtare për mjedisin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb