Në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi ndodhi ajo që do të ndodhte dhe s’mund të mos ndodhte një ditë: humbja e njeriut-pushtet Milo Gjukanoviç, që sundon prej rreth tre dekadash, fitorja e partive opozitare, filoruse dhe antiNATO më e madhja prej tyre, por jo të gjitha.

Duket paradoksale nga një pikëpamje, që një vend anëtar i NATO-s, që ka nënshkruar hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, që është para vendeve të tjera të rajonit sa u takon tregueseve të zhvillimit dhe standardit të jetesës së qytetarëve, u heq timonin e pushtetit aktorëve politikë që i mishërojnë këto arritje të mëdha dhe ia kalon një konglomerati partish e aktorësh ku peshën më të madhe nga pikëpamja e numrave  e kanë nacionalistët e stampës  së vjetër.

Në fakt nuk është paradoksale. Së pari, sepse ky rotacion i pushtetit në Mal të Zi, që pritet të implementohet gjithsesi, u mundësua pikësëpari nga zgjedhjet e lira. Republika e vogël fqinje dëshmoi se nuk i ka fiktive arritjet që shënuam më lart dhe funksionon mbi principin e votës së lirë. Pavarësisht çmimit që mund t’i duhet të paguajë ndryshimit që ndodhi. Por kjo llogari nuk bëhet kur është fjala për respektimin e standardeve të demokracisë. Demokracia që është demokraci nuk mund të mohojë vetveten për asnjë arsye. Zgjedhjet e lira, si themeli i saj, janë mbi gjithçka. Edhe nëse në një moment të caktuar ato lejojnë një zgjidhje të gabuar të popullit. Në referencë me një  sentencë të famshme të Rajmond Aron mund të themi se formula “jo zgjedhje të lira për armiqtë e lirisë dhe oksidentalizmit” lejon të justifikohen të gjitha llojet e tiranive. Për ketë arsye pyetja kush duhet të na drejtojë është një pyetje e gabuar për kulturën perëndimorë. Drejtuesit i cakton vota e lirë. Nga kjo pikëpamje, SHBA dhe vendet e Europës mund të ndjejnë keqardhje për rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Mal Zi, por  asgjë më tepër. Uashingtoni dhe Brukseli do të presin krijimin e qeverisë se re dhe programin e saj për të ofruar e vazhduar bashkëpunimin pa paragjykime me Podgoricën.

Së dyti, ndryshimi  në  Mal të Zi ishte  pjekur edhe për shkak të qëndrimit shumë të  gjatë në pushtet të Gjukanoviçit dhe partisë së tij. Ne si Shqipëri i mbetemi mirënjohës  këtij politikani për denoncimin e regjimit të Milosheviçit, për pritjen e refugjatëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës, për aktin kurajoz të njohjes së pavarësisë së Kosovës, për të qenët në një varkë me ne në rrugëtimin e anëtarësimit në NATO, për zhvillimin si asnjëherë tjetër më parë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve tona, e tjerë, e tjerë. Por koha i vjetron dhe i kapërcen të gjithë.

Pavarësisht drejtimit pozitiv që mori Mali i Zi nën qeverisjen e Gjukanoviçit, ai e bëri baltë, siç themi në shqip dhe gati  po e parodizonte idenë e demokracisë me përjetësinë e tij në pushtet. I përkëdhelur prej gjeopolitikës, Gjukanoviç dhe regjimi i tij ishin lënë në një farë mënyrë në regjimin e radarëve  shpeshherë të fikur të Perëndimit, që bënte një sy qorr e një vesh shurdh për zhvillimet e brendshme në republikën e vogël. Podgorica zyrtare e ka përdorur me sa duket këtë rrethanë për të miksuar pushtetin me korrupsionin dhe për t’i veshur republikës pushtetin prej monarku të presidentit. Njihet shprehja e famshme e lordit Acton, se pushteti tenton të korruptojë dhe se se nuk ka herezi më të madhe se sa të mendosh se posti shenjtëron mbajtësin. Gjukanoviç  nuk mund të bënte përjashtim. Mund ta kishte zgjidhur përmes një rotacioni të brendshëm çështjen e vazhdimësisë së pushtetit brenda llojit, por preferoi t’i shkonte deri në fund  fabulës së tij politike të njeriut-pushtet. Dhe erdhi dita të largohej.

Së treti, rotacionin në Mal të Zi e përcaktoi në thelb përballja klasike midis shumicës  dhe opozitës së atij vendi për mënyrën e qeverisjes, për problemet konkrete të  malazezëve, për pritshmëritë e tyre. Pra një problematikë klasike e zgjedhjeve në çdo vend demokratik të Europës, së cilës, siç merret me mend, i qëndronte bashkangjitur  dikotomia e njohur e orientimit gjeopolitik diametralisht të kundërt mes palëve. Por nuk ishte tema e orientimit- me Perëndimin apo me Lindjen-që prodhoi ndryshimin. Ndryshimin e prodhoi filli i për bashkues i konglomeratit opozitar, që ishte te qenët  kundër Gjukanoviçit dhe qeverisë së tij. Kjo do të thotë se mjaft zgjedhës opozitarë nuk donin më në pushtet Gjukanoviçin, por nuk janë për largimin e vendit nga NATO, për kthimin në prehrin e Serbisë dhe Rusisë, për anulimin e njohjes së Kosovës. Partia dhe grupimet nacionaliste që kanë tundur flamurin e këtyre qëndrimeve përfaqësojnë bllokun kryesor të shumicës së re. Por nuk janë shumicë.

Për të bërë qeverinë, nacionalistët janë të kushtëzuar nga  grupimet që ruajnë  orientimin perëndimor të Malit të Zi, siç është lëvizja “Ura” e Dritan Abazit (po zgjedh ta shkruaj mbiemrin e tij siç e shqiptoi vetë disa herë vetë në një intervistë në televizionin ABN News) . Zoti Abazi  njoftoi kësaj jave përmes një deklarate, se: a) qeveria e re e Malit të Zi do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, b) Mali i Zi do të qëndrojë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, c) qeveria e re do të jetë qeveri ekspertësh duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare. Këto tri pika duket se janë edhe kushtet e  lëvizjes “Ura” për qeverinë e re. Pika  të cilat duket të jenë  berë pjesë  e një qëndrimi të përbashkët  të opozitës malazeze, pa qenë nevoja të trajtohen si kushte të një pale. (Më vonë zoti Abazi ka qenë më eksplicit në deklaratat e tij duke u shprehur se nuk do të ketë tërheqje të  Malit të Zi as nga NATO as nga njohja e Kosovës). Nuk është hera e parë  as e fundit që thirrjes së fuqishme të pushtetit i sakrifikohen qëndrime dhe vet përcaktime politike që jo rrallë janë thjesht mjete elektorale, të cilat varen në gozhdë kur ia arrijnë qëllimit. Në këtë rast kapërcimin e madh nuk e ka bërë Abazi i cili është koherent me qëndrimet e tij në fushatë, por partitë filoserbe a filoruse të Malit të Zi që kanë bërë hapa prapa. Duhet  të presim skenarët e zhvillimeve pas zgjedhore atje, duhet të presim sa përcaktues do të jetë vërtetë një politikan i ri shqiptar, si Dritani Abazi, i cili ngjan i paprekur nga viruset e “shkollave” politike të fryrjes dhe artificialitetit në Tiranë dhe Prishtinë  dhe prandaj i duket e çiltër edhe falja për lapsusin për origjinën e  Skënderbeut, kur thotë  se ka folur në presionin e gazetarit por edhe sepse ka dashur të tallet me të pas këmbënguljes së tij  të marrë përgjigjen që priste vetë. Sidoqoftë, ajo që mund të  thuhet tani është se, siç nuk do të jëtë po ai që po lë pas Gjukanoviçi, Mali i Zi nuk do të jetë as krejt tjetër. Busulla euroatlantike me shumë gjasa do të ruhet. Këtë e diktojnë aleancat, por e sugjerojnë edhe përvojat e mëparshme në rajon që na tregojnë se rrotacionet e pushtetit edhe kur bëhen në kahun e forcave nacionaliste të  afishuara si pro ruse, përshtatin kursin e integrimit perëndimor. Rasti i Vuçiç dhe partisë së tij është  nga më tipiket.

Po ashtu ka pak ose aspak gjasa që ndërsa Serbia dhe Kosova nënshkruan mbrëmë  marrëveshjen e parë me ndërmjetësimin e Presidentit të SHBA, Donald Tramp dhe  mbeten të angazhuara në një proces dialogu që pritet të çojë në një marrëveshje  përfundimtare të paqes mes dy vendeve, një  parti apo me shumë se një parti pro serbe në Mal të Zi ti bëjnë hyzmetin dhe t’u bien kambanave të Serbisë millosheviçiane. Përveç a historike, kjo do të ngjante edhe qesharake. Është jashtë përfytyrimit që një qeveri në Mal të Zi të zhbëjë arritjet e mëdha të fqinjësisë dhe të armiqësohet me Shqipërinë e Kosovën për mustaqet e të vdekurve.

Zgjedhjet në Mal të Zi, sikurse ato në Maqedoninë  e Veriut nxorën sërish në pah, në sytë e partnerëve tanë strategjikë Perëndimorë, të SHBA-së në radhë të pare, rëndësinë vendimtare të faktorit shqiptar në mbrojte të euroatlatizmit në këtë pjesë të rajonit. E gjithë kjo përkthehet në  formën e investimit të shtuar amerikan, por edhe  europian për të  forcuar demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë në Shqipëri. Kjo edhe si shpërblim për popullin me properëndimor të rajonit. Nëse dikotomitë për orientimin në vendet sllave të rajonit kanë një  kuptim dhe një shpjegim që lidhet me pansllavizmin, me afinitetet shpirtërore të racës dhe fesë dhe prandaj edhe qasja amerikane ndaj tyre është e tillë që konsideron këtë realitet, në Shqipëri shumica dërmuese sheh nga perëndimi. Ndaj edhe akrobacitë me orientimin as mirëkuptohen, as tolerohen./Gazeta Liberale

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb