Dhjetori, edhe pse muaji i Botërorit, solli lajme të këqija për Kombëtaren shqiptare. Dy nga titullarët kuqezinj kanë pësuar dëmtime të rënda. Armando Broja dhe Keidi Bare kanë këputur ligamentet dhe për pasojë ky sezon quhet i përfunduar për dy nga më të mirët e përfaqësueses shqiptare.

Fillimisht ishte sulmuesi i Chelsea-s, i cili është operuar, ndërsa tani pritet që edhe mesfushori i Espanyol të bëjë të njëjtën gjë, me kohën e rikuperimit që shkon deri në 5 muaj. Bare u dëmtua në ndeshjen e fundit të Kupës së Mbretit, teksa la fushën e lojës në minutën e 70-të.

Një humbje e madhe për Kombëtaren shqiptare dhe për trajnerin, kushdo që do të ulet në stolin kuqezi. Fat i keq për Shqipërinë që nis eliminatoret e Evropianit pikërisht ndaj rivalit më të fortë në grup, kundër Polonisë më 27 mars.

Si Broja, ashtu edhe Bare, janë pjesë shumë e rëndësishme e grupit kuqezi, çka do të ndikojë jo pak. Ndërkohë, duket se ky vit do të mbyllet pa një trajner në krye të Kombëtares, pasi FSHF nuk ka asnjë njoftim, qoftë për të rinovuar me Edy Rejën, qoftë për kandidatët e mundshëm që mund të zënë vendin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb