Simone Inzaghi shpresonte shumë që pas pauzës të kishte në dispozicion grupin e plotë, por fati nuk ishte as këtë herë me teknikun zikaltër. Situata u ndërlikua edhe më shumë pas dëmtimit të Brozovic, me kroatin që është i detyruar të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën një muaj.
Lajme jo të mira vijnë edhe në lidhje me Romelu Lukakun.

Sulmuesi belg nuk do të jetë në dispozicion as në sfidën kundër Romës këtë fundjave në Serie A, por rrezikon të humbas edhe ndeshjen e parë kundër Barcelonës në Champions. Lukaku pësoi një dëmtim në bicepsin femoral të kofshës së majtë, një dëmtim që me sa duket po rezulton më i rëndë se sa parashikohej. Lukaku humbet në këtë mënyrë ndeshjen e 5-të në Serie A dhe të shtatën sezonale.

Në shtëpinë e Inter mbetet e hapur edhe çështja Milan Skriniar. Mbrojtësi sllovak nuk po kalon një moment të mirë, i shqetësuar shumë nga zërat e merkatos, pasi PSG vijon të insistojë. Në kushte të tilla në skenë ka dalë presidenti Zhang i cili ka vendosur ti jap fund kësaj diskutimi duke udhëzuar drejtuesit e klubit të nisin negociatat për rinovimin e kontratës.
(BalkanWeb)