Dyshja Neymar dhe Danilo do të humbasin dy ndeshjet e mbetura të Brazilit në grupet e Kupës së Botës dhe do të përgatiten për fazën eliminatore në rast se ekipi i tyre arrin të kalojë pasi pësuan dëmtime në fitoren 2-0 ndaj Serbisë mbrëmjen e kaluar.

Brazili kryeson Grupin G dhe ndeshja e radhës do të jetë përballë Zvicrës e më pas me Kamerunin, ndërsa mjeku i skuadrës tha se ylli Neymar dhe mbrojtësi i Juventusit Danilo do të humbisnin vetëm ndeshjen kundër ‘helvetikëve’.

“Neymar dhe Danilo kryen një skanim të premten pasdite dhe ne gjetëm dëmtim të ligamentit në kyçin e këmbës së të dyve”, tha Rodrigo Lasmar në një deklaratë të ndarë nga Konfederata e Futbollit Brazilian.

“Ata do të humbasin ndeshjen e radhës me siguri dhe ne do të jemi të kujdesshëm pasi ata do t’i nënshtrohen trajtimit në mënyrë që t’i sjellim ata në formë që të mund të luajnë përsëri gjatë turneut”.

Zëvendësuesi i tij pritet të jetë talenti i Real Madridit, Rodrygo, i cili luajti në pozicionin e Neymar në tre ndeshjet praktike të Brazilit, në të cilat Reuters kishte akses në Torino në javën para Kupës së Botës.

Megjithatë, pikëpyetja më e madhe është në lidhje me zëvendësimin e Danilos, pasi veterani 39-vjeçar Dani Alves është i vetmi mbrojtës i djathtë në dispozicion të trajnerit Tite.

Takticieni i Brazilit testoi qendërmbrojtësin e Real Madridit Militao, si mbrojtës të krahut në ndeshjen e tyre miqësore kundër Ganës dhe mund të jetë një tjetër opsion së bashku me mesfushorin e Liverpool, Fabinho, i cili gjithashtu ka luajtur si mbrojtës i djathtë më parë.

Sakaq, raportimet nga kampi brazilian tbëjnë me dije se edhe anësori i Manchester United Antony dhe mesfushori Lucas Paqueta janë të dy të sëmurë dhe gjithashtu mund të humbasin ndeshjen kundër Zvicrës të hënën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb