Rei Manaj ka qenë padyshim protagonist i ndeshjes së sotme të Pizës ndaj Ternanës në Serinë B. Sulmuesi, edhe pse kishte vetëm dy ditë nën urdhrat e Ivan Xhenaro Gatuzos u rreshtua si titullar nga trajneri i klubit të Serisë B dhe në një farë mënyrë u bë protagonist në fitoren 1-0 të skuadrës së tij.

Ai luajti që nga minuta e parë duke qenë një rrezik konstant për mbrojtjen kundërshtare, sidomos në pjesën e dytë kur dukej qartësisht se kishte më tepër mirëkuptim me shokët e skuadrës, mes të cilëve edhe Çanin, i aktivizuar në minutën e 68-të në vend të autorit të golit të avantazhit, Gato.

Në fund të ndeshjes, sulmuesi shqiptar kishte mundësinë që ta kurorëzonte me gol këtë paraqitje të tij të parë me Pizën, në minutën e 89 ai fitoi një penallti pasi u pengua në mënyrë të parregullt në zonë. Gatuzo i dha mundësinë që të shënonte golin që praktikisht do të mbyllte ndeshjen, por Manaj gaboi tërësisht nga pika e bardhë, duke çuar shumë lart mbi traversë goditjen e tij.

U desh një pritje vendimtare e Ujkanit një minutë më vonë pas një kundërsulmi të Ternanës që Piza të dilte me tri pikë nga fusha e lojës në këtë duel dhe t’i gëzohej faktit se ky rezultat i mundësoi të dilte nga zona e ftohtë e klasifikimit./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: