Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet për rehabilitimin e qendrës shëndetësore Selitë, në periferi të Tiranës, e cila po rehabilitohet në kuadër të programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore.


E shoqëruar nga deputeti i zonës Pandeli Majko, Manastirliu u shpreh se nga ky investim do të përfitojnë shërbime më cilësore 10 mijë banorët e zonës.


“Popullata është rritur ndjeshëm në këtë zonë të Tiranës ndaj ne kemi vlerësuar dhe shumë shpejt do të hapim pikën e re shëndetësore në zonën e Kodrës së Diellit. Po çojmë shërbimin me standarde në zemër të komunitetit për të garantuar akses universal dhe shërbim cilësor për qytetarët, kudo ku ata jetojnë. ”- tha Manastirliu.


Duke theksuar se me programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 2 vite në Tiranë janë rehabilituar 24 qendra shëndetësore, Manastirliu tha se në njësinë nr. 5 ka pasur edhe investime të tjera.

“Në njësinë administrative nr. 5, e cila është dhe njësia administrative më e madhe e Tiranës qoftë për nga pikëpamja e numrit të banorëve edhe për nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike, në dy vite është mundësuar përveç rikontruksionit të qendrës shëndetësore Selitë edhe rikonstruksioni i qendrës shëndetësore nr. 8 e cila prej shtatorit të këtij viti funksionon edhe si qendër shëndetësore e urgjencës pediatrike, së bashku me konsultorin e fëmijës te stadiumi Dinamo”, tha Manastirliu.

“Falenderoj Ministren për angazhimin për të përmirësuar shërbimin shëdetësor në këtë zonë shumë të populluar të Tiranës. Puna flet vetë! Edhe infrastruktura ka ardhur tashmë në nivelin e shërbimit që ofron këtu ekipi mjekësor që lavdërohet nga të gjithë banorët e kësaj zone”, tha z. Majko.
Me programin e 300 qendrave shëndetësore, këtë vit po investohet në tiranë në zonat periferike dhe fshatrat përreth kryeqytetit, si Bërxullë, Petrelë, Arbanë, Selitë, Vaqarr, Kombinat, Ndroq, etj. Janë 9 qendra në Tiranë ku po ndërhyjmë dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2019.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb