VLORE– Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi Qendrën Shëndetësore të Shushicës në Llakatund të Vlorës, e cila është rikonstruktuar tërësisht, duke u shndëruar nga një ngrehinë e shkatërruar në një qendër model të kujdesit Parësor.

“Për ne si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është prioritar kujdesi parësor, ndaj këtë model të mirë të ngritur këtu në Llakatund të Vlorës do ta shtrijmë në të gjithë vendin. Do të zgjerojmë investimet tona nga qendra drejt fshatrave për të përmirësuar kushtet dhe kujdesin shëndetësor aty ku janë nevojat. Investimet në Qendrat Shëndetësore do te vijojnë edhe në vitin 2018, me financime nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, ku vetë bashkitë do të konkurojnë me projekte për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore”, u shpreh Manastirliu.

Qendra Shëndetësore Shushicë i shërben 9800 banorëve të kësaj zone, dhe është rikonstruktuar me një vlerë prej 12 milionë lekë ku përfshihet rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit, rrjetit elektrik dhe rehabilitimi i ambjenteve ndihmëse.

Gjatë vizitës së saj në Qarkun e Vlorës, ministrja Manastirliu u ndal në familjen e Ismet Fetës në Llakatund, familja e të cilit trajtohet nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike.

Ministrja u shpreh se skema e re e ndihmës ekonomike, e cila do të shtrihet në Shqipëri në Janar të vitit 2018, nuk do të ketë më kritere përjashtuese për familjet në nevojë, duke targetuar familjet më në nevojë. Kjo skemë do të rrisë pagesat e ndihmës ekonomike – deri në 8000 lekë – dhe falë krijimit të regjistrit elektronik kombëtar dhe verifikimit automatik me institucionet, do të shmangë procedurat e gjata për aplikim dhe do të eleminojë abuzimet me këtë skemë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb