Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar gjatë ditës së sotme punimet që po kryhen në Spitalin Universitar të Traumës, për rehabilitimin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, përmirësimin e infrastrukturës në Urgjencën e këtij spitali, si dhe investimet në pajisje bio-mjekësore.

“Në spitalin e Traumës është duke u punuar me ritëm në një prej godinave që i shërben trajtimit të sëmundjeve të brendshme dhe gjithashtu edhe një strukturë që i shërben konsultave ambulatore. Një investim i buxhetit të shtetit, i qeverisë shqiptare në vlerë rreth 4 milionë dollarë, që do të shndërrojë tërësisht shërbimet që ofrohen këtu. Do të zgjerojmë kapacitetet për shërbime të tjera, duke krijuar kushte shumë më të mira për stafet mjekësore dhe për pacientët për marrjen e shërbimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se në disa spitale të vendit, do të ketë një investim shumë të rëndësishëm për rinovimin e pajisjeve mjekësore, si skaner, grafi, angiograg, etj.

“Jemi duke investuar edhe për rinovimin e flotësa së aparaturave të teknologjisë së lartë, duke filluar me një skaner të ri që shumë shpejt do të instalohet në Spitalin e Traumës. Gjithashtu skaner të ri për Spitalin “Shefqet Ndroqi”, duke dyfishuar kapacitetet e tij; një skaner të ri për Spitalin Pediatrik në QSUT, për Spitalin e Korçës. Do të kemi grafi të reja për spitalet rajonale, bashkiake por edhe gjithashtu dy Poliklinika të Tiranës, si dhe një angiograf i ri do t’i shtohet flotës tonë të pajisjeve bio-mjekësore, nëpërmjet një investimi të Qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore në vlerën 4.2 milionë dollarë. Këto investime do të ulin akoma më shumë listë-pritjen për kryerjen e ekzaminimeve si skaner apo grafi”, tha Manastirliu.

Qeveria shqiptare po investon për rinovimin e flotës së aparaturave në vlerën 4.2 milion dollarë. Më konkretisht, bëhet fjalë për katër skanera të rinj të teknologjisë së fundit në Spitalin Universitar të Traumës, në Spitali “Shefqet Ndroqi”, në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Spitalin Rajonal të Korcës. Ndërsa Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT do të pajiset me një angiograf të ri. Po kështu dhe spitalet e tjera rajonale dhe bashkiake si dhe poliklinikat e Vorës dhe Paskuqanit do të pajisen me 9 grafi të reja, pjesë e investimit në flotën e aparaturave moderne të teknologjisë së lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb