TIRANE

Gjyshet dhe gjyshërit që janë banorë të Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë kanë mbledhur nga kursimet e tyre dhe së bashku kanë dhuruar për banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit. Gjesti i tyre fisnik u vlerësua nga Ministrja Manastirliu, e cila kaloi mëngjesin e sotëm me 50 gjyshe dhe gjyshër që jetojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.

“Kam ardhur personalisht jo vetëm për t’ju uruar për festat e fundvitit por edhe për t’ju falenderuar pa masë për gjestin fisnik që keni bërë, për dhurimin nga kursimet tuaja për banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar gjestin e gjyshërve të vetmuar që jetojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Manastirliu tha: “Fisnikëria dhe dhemshuria janë tipare që i karakterizojnë gjyshërit tanë ndaj dhe u jemi gjithmonë mirënjohës për vlerat që na kanë transmetuar”.

Gjatë këtij viti është investuar për ndërtimin e një qendre të re multifunksionale në Palasë, e cila shërben si shtëpi pushimi për moshën e tretë dhe grupet në nevojë si dhe ka përfunduar rikonstuksioni i plotë i Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër. Gjatë këtij viti është miratuar edhe Plani i Moshimit, i cili përcakton shërbimet që duhet të sigurohen për moshën e tretë.

Gjatë vizitës në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguroi se do të vijojë mbështetja për moshën e tretë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb