Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në prezantimin e programit për shëndetësinë dhe mbrojtjes sociale, tha se programi i transformimit të shëndetësisë 2030, do të prekë të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor, duke theksuar se zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme.

“Zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Do ta pilotojmë gjatë 2022, dhe deri në 2025 ky model do të jetë eksportuar në spitalet e tjera. Objektivi ynë është që spitalet tona publike të administrohen, sipas një sistemi që shpërblen mbi bazën e performancës. Një sistem që eleminon çdo abuzim dhe papërgjegjshmëri në kurriz të qytetarëve”, tha Manastirliu.

Manastirliu në fjalën e saj tha se kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të infrastrukturës në gjitha rajonet, duke premtuar se brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore.

“Duke investuar në infrastrukturë e teknologji, brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore që do të bëhen Qendra Reference Diagnostikuese dhe Trajtuese në katër rajonet. Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të tjera të infrastrukturës spitalore. Do të finalizojmë brenda këtij mandati projektet e mëdha të modernizimit të spitaleve universitare dhe rajonale”, tha Manastirliu.

Duke theksuar filozofinë e qeverisë së Partisë Socialiste të mbulimit shëndetësor universal, duke e konsideruar shëndetin si një e mirë publike, Manastirliu bëri me dije angazhimin për financimin për shëndetësinë.

“Deri në vitin 2030, ne synojmë ta çojmë financimin publik për kujdesin shëndetësor, në 70% të shpenzimeve totale për shëndetësinë. Eshtë një objektiv ambicioz, por ne jemi të qartë dhe të vendosur: asnjë familje shqiptare nuk duhet të bjerë në varfëri, për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor”, u shpreh ministrja Manastriliu në fjalën e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb