TIRANE

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar poliklinikën e specialiteteve nr. 1 në Tiranë, ku sapo është investuar në laboratorin e ri, i cili ka bërë të mundur rritjen e gamës së kryerjes së analizave dhe uljen e kohës së pritjes për qytetarët.

“Kemi investuar në laboratorin modern në këtë poliklinikë specialitetesh, më e madhja në Tiranë, që mbulon 12 qendra shëndetësore dhe një popullatë prej 370 mijë banorësh. Falë investimeve të realizuara, sot kryhen 47 lloje analizash, përfshirë dhe ato hormonale apo markuesit tumoralë, pa patur nevojë që qytetarët të shkojnë në spital”, tha Manastirliu.

Falë investimeve në laboratorin e teknologjisë së lartë, është reduktuar me dy herë koha e pritjes për analiza për 370 mijë banorë që mbulon kjo poliklinikë, ku kryhen rreth 125 mijë analiza në vit, ose 6 herë më shumë krahasuar me 2 vite më parë. Investime të tjera në aparatura si eko abdominale, holter, eko e zemrës që bën të mundur që një ndër poliklinikat më të mëdha të Tiranës ku kryhen rreth 300 mijë vizita dhe ekzaminime në vit, të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët.

Gjatë vizitës në poliklinikën e specialiteteve nr.1 Manastirliu tha se shërbimet online të ofruara nga 1 janari në platformën e-albania do të lehtësojnë burokracitë, duke kursyer kohë për qytetarët.
“Caktimi i datës për koronarografi apo një ekzaminim skaner, rezonancë etj, mund të bëhet pranë mjekut specialist dhe mund të ricaktohet nëpërmjet platformës e-albania nga vetë qytetari”, tha Manastirliu.

Janë rreth 30 mijë veprime/vit që eleminohen për kartën e shëndetit, e cila nuk i kërkohet më qytetarit as për rinovimin e saj, por aksesohet në e-Albania. Çdo ditë, 6 mijë qytetarë referohen për një vizitë të specializuar apo ekzaminim. Më shumë se 1.8 milion veprime për referimin e qytetarëve tashmë kryhen online dhe risia nga 1 Janari është ri-përcaktimi i datës së vizitës apo ekzaminimit nga vetë qytetari, nëse nuk i volit apo ka nevojë të ndryshojë datën e përcaktuar tek mjeku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb