“Brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi serish një lëvrim të kontratave të lidhura të vaksinave anticovid. Do të jenë 100,000 vaksina Coronavac, të cilat pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme, ndërkohë 11,700 vaksina të Pfizer pritet të mbërrijnë ditën e hënë”. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore verore Mali i Robit, në Golem.

Duke folur për procesin e vaksinimit, Manastirliu tha se me ardhjen e dozave të tjera, do të ulet fashat e vaksinimit masiv në 50 vjeç.

“Me mbërritjen e vaksinave do të mundemi të zgjerojmë fashën e vaksinimit për grupmoshat, sipas kalendarit tonë dhe planit të vaksinimit masiv, duke e ulur në 50 vjeç dhe duke iu dedikuar si fillim qyetarëve të cilët kanë një sëmundje kronike”, theksoi Manastirliu.

Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore Mali i Robit në Golem, një prej zonave me fluksin më të madh të pushuesve gjatë sezonit veror, Ministrjae Shëndetësisë tha se 29 qendrat shëndetësore verore kanë nisur të ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës.

“Prej datës 15 qershor kemi hapur 29 qendra shëndetësore verore, nga Thethi në Ksamil, ku ndër të gjitha shërbimet që ofrojnë këto qendra, kemi shtuar edhe shërbimin e testit të shpejtë, një shërbim i cili do të garantojë kapjen në kohë të rasteve me Covid19 dhe menjëherë do të informohet Instituti i Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për ndjekjen e rasteve, izolimin e tyre”, tha Manastirliu.

Në qendrat shëndetësore verore janë 170 mjekë dhe infermierë të trajnuar në shërbim 24 orë për pushuesit dhe turistët. Strukturat e shëndetësisë kanë marrë masat për të garantuar barnat dhe materialet mjekësore për rastet e urgjencës, ndërsa rrjeti i autoambulancave është organizuar edhe me 14 postacione fikse pranë zonave turistike, për akses më të shpejtë në shërbim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb