Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në Qendrën e Vaksinimit në Arenën Kombëtare, ku po vijon vaksinimi i personelit shëndetësor spitalor dhe të kujdesit shëndetësor parësor.

“Vijojmë vaksinimin në Arenën Kombëtare me stafet mjekësore. Do të vijojmë edhe të shtunën e të dielën me stafet mjekësore dhe të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave. Janë rreth 11 mijë vaksinime të kryera deri tani, ndërsa vijojmë të zgjerohemi në territor, duke hapur sot qendrën e vaksinimit në Kukës dhe brenda javës, në Korçë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Duke folur për intensifikimin e procesit të vaksinimit, Manastirliu u shpreh se do të vijnë sasitë e radhës së vaksinave, duke filluar nga java tjetër.

“Javën tjetër do të vijë dërgesa e radhës nga Pfizer. Me ardhjen e vaksinave, sipas kalendarit të kontratës që kemi lidhur me Pfizer-in, ditën e hënë do të vijojmë të intensifikojmë dhe të shtrijmë në vijim vaksinimin. Gjithashtu pritet që në 10 ditëshin e parë të Marsit, të kemi edhe një dërgesë të parë nga kontrata me Covax-in. Janë planifikuar rreth 14,400 doza, të cilat priten që të vijnë nga kjo marrëveshje e lidhur dhe e parapaguar nga qeveria shqiptare”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për vaksinimin e të moshuarve, Manastirliu tha: “Me përfundimin e mjekëve, infermierëve, gjithë personelit shëndetësor, me përfundimin e vaksinimit të të moshuarve në azile, kujdestarëve të tyre, gjithashtu do të intensifikojmë edhe vaksinimin e të moshuarve dhe do të vijojmë edhe përgjatë ditës së dielë me vaksinimin e të moshuarve +80, duke filluar me fashën +90 vjeçare, duke vijuar vaksinimin”, tha Manastirliu.

Sakaq, mësohet se sot po vijon vaksinimi antiCOVID për personelin shëndetësor dhe të moshuarit në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Berat, Elbasan dhe Kukës. Manastirliu shtoi se deri tani janë kryer mbi 11 mijë vaksinime, nga të cilat 782 janë të moshuar dhe staf që kujdeset për ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb