Janë mbyllur dy ndeshjet e para të javës së pestë të fazës me grupe të Champions League. Manchester United është kthyer te fitorja pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer. Djajtë e Kuq kanë mundur 2-0 Villarreal-in në Grupin F dhe janë kualifikuar në 1/8-at.

Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 78-të. Ishte Cristiano Ronaldo që i ka dhuruar avantazhin anglezëve. Portugezi është bërë lojtari i parë në histori që shënon në pesë ndeshjet e para të një klubi anglez në një sezon të Kupës së Kampionëve/Champions League (duke përjashtuar fazën kualifikuese).

United ka siguruar tri pikët në minutën e 90-të, me golin e Jadon Sancho. Ky ka qenë goli i parë i anglezit për United që nga transferimi i tij në Old Trafford verën e kaluar për 85 milionë euro.

Fiton edhe Bayern Munich Bavarezët, që e kishin siguruar kualifikimin, kanë siguruar edhe vendin e parë në Grupin E falë fitores 2-1 në fushën e Dinamos së Kievit.

Lewandowski (14′) dhe Coman (42′) kanë shënuar për gjermanët, ndërsa Garmash (70′) ka realizuar për ukrainasit. Robert Lewandowski ka shënuar në të nënta ndeshjet e fundit që ka luajtur në Champions, duke u bërë lojtari i parë që ka shënuar nëntë gola radhazi, duke e realizuar një gjë të tillë edhe në gushtin e 2020-ës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb