Manchester United dhe Chelsea po përgatiten për një shkëmbim të bujshëm lojtarësh. “Djajtë e kuq” synojnë të sjellin në “Old Trafford” mesfushorin Mason Mount, i cili kushton rreth 70 milionë euro. Të paktën kjo është shuma që pretendojnë te Chelsea.

Për të zbutur sadopak këtë shumë, Manchester United do të ofrojë në shkëmbim mbrojtësin Harry Maguire. Ky i fundit do të lërë “djajtë e kuq”, pasi nuk aktivizohet më nga trajneri Erik ten Hag, ndaj dhe ka pranuar të jetë pjesë e marrëveshjes.

Të dy lojtarët, Maguire dhe Mount, janë pjesë e kombëtares angleze. Për momentin Chelsea nuk ka dhënë një përgjigje nëse e pranon këtë shkëmbim, duke qenë se ka mjaft lojtarë në formacion dhe që do të lënë klubin këtë verë.

Gjithsesi, palët janë duke diskutuar, teksa ky shkëmbim futobllistësh do të shoqërohet edhe me një shumë parash që Manchester United do të paguajë për të përfituar shërbimet e Mount. Për mesfushorin janë interesuar edhe klube të tjera në Premier League.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb