Nga: FATMIRA NIKOLLI*

Me nismën e prof.Francesco Altima ri-t dhe prof.Matteo Mandalà me vite të tëra u bënë përpjekje të mëdha për formalizimin e marrëdhënies ndërmjet shtetit shqiptar dhe arbëresheve të Kalabrisë dhe të Siçilisë. Për po aq vite ranë në veshe të shurdhër të politikës shqiptare, aq sa çdo gjë mbeti tek takimet e kortezisë dhe në atë të rrafshit akademik. Kohë më parë, kryeministri Rama, priti një delegacion të arbëreshëve, takim në të cilin ata u “morën seriozisht” dhe kohë kur u kuptua rëndësia e vendosjes së marrëdhënieve me këtë komunitet. Më 27 maj, Universiteti i Kalabrisë organizoi konferencën: “Komuniteti arbëresh e vlerësimi i territorit, zhvillimi i bashkëpunimit mes Italisë e Shqipërisë në fushën e turizmit kulturor”. Në të, morën pjesë Francesco Altimari (Universiteti i Kalabrisë), Matteo Mandala (Univ. i Palermos), Francesco Napoli (Confapi-Kalabri), Ernesto Madeo (Sipërmarrës e president i shoqatës “De Rada”), Klaus Algieri (President i Dhomës së Tregtisë, Kosenza), Carlo Guçione (Assessore Regionale Al Lavoro E Attivita’ Produttive), dhe nga Shqipëria Gjon Radovani, zv. ministër i Zhvillimit e Turizmit. Gjatë diskutimit të marrëdhënieve të Shqipërisë dhe arbëreshëve në rrafshin historik, kulturor dhe në atë të bashkëpunimit ekonomik, Radovani propozoi një program konkret bashkëveprimi ndërmjet Shqipërisë dhe rajonit të Kalabrisë në secilin prej këtyre rrafsheve. Jehona e saj, bëri që Confapi Calabria të merrte kërkesa për investime në Shqipëri dhe u vendosën që me stafin e Radovanit të ndërmarrin një udhëtim në Shqipëri për të “vënë pikat mbi i” në programin e përbashkët. Javën e shkuar, delegacioni me përfaqësues të Confapi Calabria, Universitetit të Kalabrisë dhe të shoqatës kulturore “Jeronim De Rada” erdhi në Shqipëri për një tryezë të rrumbullakët që u bë në Himarë.

NISMA
Lidhjet e arbëreshëve me Himarën janë të hershme. Një rizgjim i tyre, i kthyer tashmë në një bashkëpunim mes arbëreshëve dhe himarjotëve në fushën e kulturës e turizmit, është në qendër të projektit që përfshin emra të njohur të kulturës, biznesit e më gjerë. Përmes tij synohet vënia e kulturës e trashëgimisë në funksion të zhvillimit të zonës përmes investimeve të arbëreshëve. “Arbëreshët në Himarë” është titulluar aktiviteti i mbajtur në qytetin jugor. I organizuar nga zëvendësministri i Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, ka mbledhur në një tryezë kreun e Bashkisë Himarë, Gjergji Goro, kreun e Këshillit të Qarkut Vlorë Sadrit Danaj, deputetin Koço Kokëdhima si edhe përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, siç janë emrat e njohur të studiuesve Françesko Altimari e Matteo Mandala, por edhe përfaqësues të biznesit si Françesko Napoli dhe turizmit e kulturës si Rosana Mortati. Qëllimi i aktivitetit ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e zhvillimit urban, ekonomisë, kulturës, agroturizmit dhe në fushën akademike, e përtej aktivitetit ka një projekt që synon afrimin e bashkëpunimin mes dy brigjeve, çka pritet të çojë në zhvillimin ekonomik të Himarës.

FRANÇESKO ALTIMARI
Prof.DR.Françesko Altimari, sqaroi se është projekt i veçantë që synon të lidhë kompetencat që duken të ndryshme, por që nuk janë të ndryshme. “Do të gjenden lidhjet mes botës arbëreshe dhe Himarës. Erdhëm në Shqipëri bashkë me arbëreshë nga Kalabria e Sicilia si edhe përfaqësues të fushës kulturore, e përfaqësues të ndërmarrjeve të vogla kalabreze bashkë me presidentin e konfederatës së ndërmarrjeve të vogla e të mesme të Kalabrisë, Françesko Napoli, në mënyrë që të lidhen ndërmarrjet e vogla që kanë interesa për të zhvilluar aktivitete në një mjedis të veçantë. Do bashkëpunojnë ekonomia, kultura dhe biznesi me një objektiv: Himarën, për lidhjet e lashta e të ngushta mes botës arbëreshe dhe asaj të Himarës”,-tha ai. Altimari shënoi se ka qenë vendimtare lidhja që krijoi zëvendësministri Gjon Radovani, i cili shkoi me një propozim konkret. “Ai tha ejani, shiheni dhe mendojmë një nismë pasi të kemi parë mundësitë. Faza e tretë është të caktojmë një program bashkëpunimesh duke vënë në dukje rrënjët e lashta që ekzistojnë nga historia, nga gjuha, nga trashëgimia kulturore e fetare. Besojmë të ndërmarrim disa nisma kulturore siç është vënia në dukje të kontakteve të vjetra të Himarës dhe arbëreshëve. Do afrojmë arbëreshët dhe himarjotët në emër të kulturës sonë të përbashkët, në emër të historisë, duke marrë shkas nga fakti se kultura nuk është një fushë që i takon vetëm profesionistëve të saj, por mund të jetë motor i zhvillimit ekonomik”,- shtoi Altimari. Sipas tij, intuita e Radovanit është vënia së bashku e kërkesave: Të shqiptarëve që dëshirojnë të njohin rrënjët e tyre përmes njohjes së botës arbëreshe dhe arbëreshëve që duan të kthehen në vendin e origjinës, për të rikrijuar lidhjet. Për këtë arsye në vijim do të mbahen aktivitete turistike, kulturore dhe do të vihet në dukje trashëgimia kulturore përmes objekteve e produkteve tipike apo investimeve turistike.

MATEO MANDALA
Në këtë projekt është përfshirë edhe prof.Mateo Mandala, sipas të cilit, synimi i tyre është bashkëpunimi mes realitetit arbëresh dhe Himarës. “Jemi duke punuar për të caktuar jo vetëm problematikat që duhen studiuar dhe synimet. Ne kemi parasysh aspektet kulturore, historike, domethënë lidhjet e vjetra që kanë mbajtur afër historikisht këto dy realitete. Siç dihet, pjesa dërrmuese e arbëreshëve, ka origjinën nga Himara e nga jugu, dhe nga ato vise shqipfolëse jugore kemi dëshmi sidomos nga pikëpamja gjuhësore që i vërtetojnë këto lidhje. Duke kaluar nga bregdeti që të çon nga Saranda në Himarë lexon toponime si: Pilur(Pilora), Borshi, Kuçi, që ende sot e kësaj dite janë toponime në bregdetin e Shqipërisë, por janë edhe mbiemra në viset arbëreshe”,-thotë Mandala. Ai vëren se kjo tregon për lidhjet e ngushta mes dy brigjeve. “Vetë emri i Himarës është shumë i njohur nga arbëreshët. Në fshatin tim ka një lagje që quhet Xhumara dhe që vjen nga Himara, e fjala him-himarë sot ekziston në të folmet arbëreshe si një vend ku zbritet nga lart poshtë. Në shekujt 18 murgjit arbëreshë që studionin në Sicili, shkuan si murgj misionarë në Dhërmi dhe atje ndenjën për një shekull. Kjo është sa i takon së kaluarës. Do rizbulojmë lidhjet historike që kanë mbajtur gjithnjë të gjallë kujtimin si në Himarë dhe tek arbëreshët për këtë lidhje të ngushtë e fortë”,-nënvizon studiuesi e profesori. Mandej ai flet për të ardhmen, ku synohet bashkëpunimi i shoqatave të ndryshme me të cilat do të ngrihen ura komunikimi për ekonomi të përbashkëta. “Synojmë të krijojmë ‘rajonin adriatik’, ku pjesa më jugore e Italisë dhe ajo e Shqipërisë që janë përballë të bashkëpunojnë për të krijuar një treg të shëndoshë ekonomik. Është synim që lidhet me një projekt vizionar”-, e mbyll ai. INVESTIMI Përtej lidhjeve të vjetra ajo që synohet sot që e shkuara të përdoret në funksion të së ardhmes. Në takimin e mbajtur ditë më parë, i pranishëm ishte edhe Francesco Napoli, president i “Confapi Italia”. “Jemi organizatë kombëtare me 1800 ndërmarrje, e 13 mijë punonjës. Merremi me ndërmarrjet e vogla e të mesme, që janë motori i zhvillimit të ekonomisë tek ne. Për tri ditë në Shqipëri, kemi gjetur mikpritje, e kjo më jep kënaqësi sepse nuk jam ndjerë i huaj. Po punojmë me një protokoll për të strukturuar bashkëpunimin. Kemi disa kërkesa nga kolegët sipërmarrës, që duan të shohin mundësinë e të investojnë në Shqipëri, sepse na ndan i njëjti det”, – tha ai. Sipas Napolit, Himara ofron mundësi të mëdha ndaj ky takim do të konkretizohet në investime në territor për të krijuar ekonomi e zhvillim të zonës. “Ne përfaqësojmë ¾ e ekonomisë në Itali. Ju keni dy avantazhe, një makinë burokracie jo të rëndë sa në Itali dhe tjetri është se ne kemi shkuar para në Europë kur nuk i dinim defektet e kësaj zgjedhje, ndërsa ju i dini, dhe mund t’i përmirësoni këto defekte”,- deklaroi Napoli.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: