Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit deklaroi se ulja e taksës për biznesin e vogël është një premtim i mbajtur, ndërsa nuk i kurseu ironitë për opozitën. Teksa ka shtruar disa pyetje që i cilësoi retorike, Ahmetaj shigjetoi liderin e PD-së, duke e quajtur atë komedian.

Duke bërë një bilanc për ekonominë dhe shifrat nga fondi i pagave që sipas tij është rritur me 56%, Ahmetaj tha se mandati i tretë është i natyrshëm për të majtën.

 

“Ulja e taksës për biznesin e vogël, premtim i mbajtur. 130 milionë dollarë i janë kursyer familjeve. 106 % rritje. 151 mijë të punësuar në biznesin e vogël. Si u zgjeroja punësimi në një sektor apo ekonomi kur ekonomia bie?! Si shkon punësimi nga 439 mijë në gati 720 mijë? Pyetje retorike për komedianin! Shyqyr që shpëtoi Devolli dhe Kapshtica nga boloria e borieve. Keni dëgjuar këtu bolorinë e oligarkisë. Nën maxhorancën totalisht të majtë, biznesi i madh ka paguar 395 mln dollarë. Çdo qytetar, me shkollë, pa shkollë, i majtë i djathtë, më thoni; cila është maxhoranca që anon për qytetarin e zakonshëm. Lë ta kundërshtojë njeri me meme. Doni fondin e pagave? ! Kjo ishte një nga arsyet për të rrëzuar buxhetin. Fondi i pagave, mjekët dhe infermierët, u vlerësuan për betejën përballë COVID, apo dhe mësuesit. Kemi pasur një flamur, që do ta mbajmë dhe për mandatin e tretë, progresivitetin. Nëse do të ishit në regjimin e para 2013-ës, për të djathtën ekstreme që punon vetëm për 1 % të shqiptarëve, do kishit paguar 1 mld dollarë më shumë vetëm për taksën e sheshtë. Po i bëj komedianit disa pyetje; nëse në 100 mln dollarë grante janë shpërndarë 74 mln dollarë, sa për qind janë këto?! 2.6% janë?! Sa për qind të shkollave janë këto?! Janë mbi 1 mijë shtëpi që përfundojnë në dhjetor, sa janë këto 2.6? Duhet t’i ktheheni tabelës së shumëzimit.”, tha Ahmetaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb