TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit që Kuvendi mori duke rrëzuar kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Mark Frroku. Në një deklaratë për mediat, PD dënon këtë vendim, ndërsa thotë se tregoi këmbënguljen e dyshes Rama-Meta për të mbrojtur inkriminimin. Sipas PD, refuzimi i kërkesës së saj për heqjen e mandatit të Frrokut tregon mungesën e vullnetit nga ana e kryeministrit Rama dhe kreut të parlamentit, Meta për të bërë dekriminalizimin dhe se dhunon kërkesën e qytetarëve për t’u çliruar nga krimi.

“Partia Demokratike dënon vendimin e sotëm të Edi Ramës dhe Ilir Metës për të mbrojtur mandatin e deputetit Mark Frroku, i cili gjendet nën akuzën e vrasjes nga drejtësia belge. Këshilli i mandateve në Parlament tregoi sot mungesën e vullnetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës për të bërë dekriminalizimin e politikës. Në këtë këshill sot u konfirmua këmbëngulja e dyshes Rama-Meta për të mbrojtur inkriminimin. Refuzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të të zgjedhurit të Edi Ramës është dhunim i nevojës qe ka vendi për tu çliruar nga krimi, është dhunim i kërkesës së qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Pavarësisht këtij qëndrimi pro-krimit, Partia Demokratike është e vendosur dhe do ta çojë deri në fund procesin e dekriminalizimit bashkë me qytetaret dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaron PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb