TIRANE– Teksa qeveria një ditë më parë shpalli garën për tre anëtarë në këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë drejtoria e monitorimit pranë Kuvendit ka njoftuar institucionet përkatëse për përfundimin e mandatit për 6 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës si dhe kërkesën për zgjedhje të reja. Por në këtë listë nuk figuron emri i Gent Sejkos.

Guvernatori Gent Sejko është zgjedhur anëtarë i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës qendrore pas dorëheqjes së Ardian Civicit në vitin 2014 dhe ky mandat i përfundon në nëntor të këtij viti. Por duke qenë se Gent Sejko është zgjedhur si Guvernator me propozim të presidentit të Republikës në vitin 2015 dhe mandate i tij është shtatë vjeçar, e bën atë automatikisht edhe anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të institucionit që drejton deri në përfundim të këtij mandati. Të njëjtin interpretim bën edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe.

“Në referencë të kushtetutës mandati i Guvernatorit të BSH është 7-vjeçarë do të thotë që guvernatori aktual në detyrë e ka marr këtë mandate në shkurt të vitit 2015 dhe do duhet ta përfundojë këtë mandate në rast se kushtetuta përcakton për shkarkimin e tij para kohe në shkurt të viti 2022”, tha Braçe.

Duke iu referuar kushtetutës së Shqipërisë edhe eksperti ligjor Çlirim Gjata thotë se mandati i Guvernatorit është shtatë vjeçar dhe si i tillë është edhe anëtarë i Këshillit Mbikëqyrës në po kaq vjet.

“Kushtetuta thotë se mandati i guvernatorit është 7 vite. Në Kushtetutë nuk parashikohet si në rastin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse një anëtari të Gjykatës Kushtetuese i mbaron mandati para kohe, anëtari zëvendësues rri ne atë pjesën e mbetur të mandatit të anëtarëve të mëparshëm. Për Guvernatorin nuk është kështu. Kushtetuta përderisa nuk e përcakton se zëvendëson pjesën e mbetur të mandatin, atëherë ka mandat të plotë 7-vjeçar”, -tha Gjata.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb