TIRANË- Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve zhvilloi sot mbledhjen e radhës në të cilën shqyrtoi kërkesën e PD­-së për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetit të PS­-së, Koço Kokëdhima.

Pas mbledhjes sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha për gazetarët se mazhoranca po kërkon t’ia fshehë Gjykatës Kushtetuese kërkesën.

“Këshilli mori në shqyrtim kërkesën e PD-së për pavlefshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima për shkelje të kushtetutës. Çështja u shqyrtua ka të bëjë me faktin që kërkesa duhet dërguar në Gjykatë Kushtetuese apo jo. Është shqyrtuar nga ana e procedurës kërkesa, nuk është gjykimi në themel që bëhet nga Gjykata Kushtetuese. Maxhoranca është e mendimit që duhet t’ia fshehë Gjykatës Kushtetuese këtë çështje”, tha Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, tha se ky vendim i maxhorancës është në vijim të bashkëpunimit të saj me krimin. “Qëndrimi i maxhorancës ishte që çështja të mos i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca do i dërgojë kërkesë parlamentit që të mos i shkojë çështja Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca gdhihet me krimin, si krimi kërkon të fshihet dhe veprojë në errësirë. PD ka rrugët e saj ligjore për të ndjekur. E moralshme është që të mos kemi një ngjarje që s’ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit”, tha Ristani.

Më 6 prill, Këshilli vendosi shtyrjen e mbledhjes për t’u dhënë kohë anëtarëve të tij që të njihen me parashtrimet e bëra nga avokati i deputetit, Kokëdhima, si dhe me dokumentet e depozituara nga opozita në Kuvend.

Në kërkesën e deputetëve të djathtë argumentohet se, në shkelje të Kushtetutës, deputeti socialist ka përfituar fonde publike, nëpërmjet kompanisë Abissnet, edhe pasi është bërë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kjo, thotë opozita, është në papajtueshmëri me nenet e Kushtetutës dhe ligjin ‘për konfliktin e interesave’

Ndërkohë Armando Subashi, anëtar i këtij këshilli deklaroi për News 24 se argumentet e mazhorancës do të bëhen publike të enjten. “Nesër do ta merrni vesh. Do të dalin të dyja raportet, ndaj aty do të jenë edhe argumentet përkatëse,”-u shpreh Subashi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb