Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Kryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, bëri të qartë dje se nuk ka ende një propozim përfundimtar për ndërprerjen ose jo të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai sqaroi se për këtë çështje do t’i drejtohen për interpretim Komisionit të Venecias.

“Do të kemi një përgjigje shteruese për këtë në momentin kur Komisioni i Posaçëm do ta shqyrtojë dhe do t’ia kalojë për shqyrtim Komisionit të Venecias. Ndoshta Komisioni i Posaçëm mund të ketë një qasje të ndryshme nga ekspertët dhe Komisioni i Venecias mund ta pranojë, ose ndoshta jo. Ngelet për t’u parë”, deklaroi Xhafaj për “Ora News”.

Sipas tij, “nuk bëhet fjalë për ndërprerje të dhunshme, siç ka ndodhur me prokurorët e tjerë, por me një strukturim. Nuk po i shkarkon njeri anëtarët e KLD-së, por po ristrukturohet si institucion, siç mund të ndodhte edhe me të gjitha institucionet e republikës, edhe për Prokurorin e Përgjithshëm nuk ka këndvështrime të tjera kushtetuese e ligjore”, sqaroi Xhafaj.

Në rekomandimet që dha në dhjetor, Komisioni i Venecias ka evidentuar disa anomali në dispozitën që parashikon emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Komisioni i Venecias shprehet se është i paqartë se pse kriteret e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm janë të ndryshme nga kriteret e emërimit të gjyqtarëve. Për më tepër, nuk është e qartë nëse Këshilli i Lartë i Prokurorëve është i detyruar të propozojë më shumë se një kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend. Ndoshta, kjo dispozitë mund të përcaktojë se procedura e zgjedhjes duhet të jetë transparente, e bazuar në një thirrje të hapur për kandidatët dhe se disa kandidatë alternativë, renditur nga KLP, duhet t’i paraqiten Kuvendit për votim.

Komisioni i Venecias shprehet se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm nuk duhet domosdoshmërish të ndërpritet dhe se vijimi i ushtrimit të punës deri në përfundimin e mandatit të tij është e pranueshme. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias e vlerëson të çuditshëm që të miratohet një parashikim kushtetues që ish-Prokurori i Përgjithshëm të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

INFORMIMI
Ndërkohë, dje, në një mesazh falenderimi dhe informimi njëkohësisht, kreu i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj bën me dije se “pasi të shqyrtohet dhe miratohet në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, projekti kushtetues do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për tu vënë në dispozicion të reporterëve që do të vizitojnë së afërmi Tiranën, në pritje të opinionit final të tyre mbi reflektimet e bëra dhe zgjidhjet e dhëna”.

Xhafaj sqaron se “jemi të ndërgjegjshëm se ky proces nuk është i lehtë për tu realizuar, por shpresojmë që të ecë normalisht dhe të kemi një produkt të dakortësuar në nivel ekspertësh për t’i hapur rrugë pastaj procesit të vendimmarrjes politike të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, brenda datës 12 janar, mbështetur në produktin e ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare”, – informon Xhafaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb