Para më pak se 12 orësh nga momenti kur Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet të mblidhet e të vendose për mandatin e Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, në mënyrë indirekte ai zgjedh t’i përgjigjet Presidentit të vendit Ilir Meta.

News24 mëson se kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi paraqiti në qeverinë e gjyqësorit argumentat në lidhje me vijimin e detyrës së tij dhe ndër të tjera i kërkon Ilir Metës të jetë i përmbajtur dhe të mos godasë institucionet e pavarura. Burimet thanë se Dvorani është i mendimit se duhet të vijojë detyrën, përderisa thekson faktin se presidenti ska kompetencë t’i kërkojë atij dorëheqjen, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor sipas Dvoranit nuk ka tagrin për të shqyrtuar një kërkesë të tillë.

Argumentet e Dvoranit do të shqyrtohen në mbledhjen online që qeveria e gjyqësorit do të zhvillojë të martën. Këshilli u vu në lëvizje nga kreu i Shtetit, i cili adresoi përmes një shkrese problematikën sipas tij të vijimit të qëndrimit në detyrë Dvoranit, në një kohë që në gjykatën e lartë kanë mbërritur tre anëtarë të rinj. Në shkresën e presidentit ndër të tjera thuhej se vakanca e Dvoranit është plotësuar me dekretimin e tre gjyqtarëve të rinj dhe se ai duhet të largohej.

Pas kësaj kërkese Këshilli e futi në rendin e ditës cështjen në fjalë dhe i dha kohë anëtarit të gjykatës së lartë të shprehte mendimin e tij lidhur me çështjen. Ardian Dvorani e konsideroi të pamjaftueshëm afatin prej 3 ditësh dhe kërkesa e tij për më shumë kohë iu plotësua nga ana e këshillit. Në kohën kur përplasja mes presidentit dhe kreut të KED-së, u kthye në qendër të vëmendjes dhe pritet një vendim për fatin e Ardian Dvoranit, ky i fundit u prit në takim nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Juri Kim. Pas takimit zonja Kim shkroi në FB se SHBA mbështesin fuqishëm reformën në drejtësi.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb