TIRANË

Ministri i drejtësisë, Ulsi Manja e konsideron legjitime kërkesën e prokurorëve të Prokurorisë së Posacme (SPAK ) drejtuar kuvendit për të mos patur kufizim të mandatit të tyre.

Ndonëse u shpreh i hapur për bisedime, Manja tha se kjo është një cështje që mund të presë, dhe se do të kërkojë ndryshime në Kushtetutë në rast miratimi të kërkesës së tyre.

‘Po, kanë kërkuar mos ketë kufizim të mandatit të tyre prej 9 vitesh. Jemi në diskutime të karakterit teknik. Në dijeninë time, ky përcaktim është i përcaktuar në kushtetutë. Nëse do ulemi të bisedojmë, do kërkohen ndryshime. Jemi të hapur për diskutime, kërkesa e tyre në vlerësimin tim është legjitime, është një cështje që pret, jemi të hapur për ta diskutuar.” u shpreh Manja.

Dy ditë më parë, struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar një letër Kuvendit, komisionit të Ligjeve duke kërkuar ndryshime ligjore për mandatin e prokurorëve. Në letrën e SPAk thuhet se në përfundim të mandatit është e vështirë të gjendet një grup tjetër prej 20 prokurorësh dhe sipas tyre 9 vite janë pak, ndërsa të gjithë prokurorët e tjerë nuk e kanë mandatin e kufizuar.

“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke u konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të plotësimit të saj me kapacitetet njerëzore dhe teknike të nevojshme. Rezultatet e saj janë në rritje të vazhdueshme, gjë që konfirmohet nga të dhënat statistikore të vitit 2020, por sidomos të vitit 2021 (janar-shtator 2021).

Konstatohet rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të regjistruara, rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të dërguar për gjykim, rritje e numrit të rasteve të dënimeve dhe konfiskimeve me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Nga vlerësimi që kemi konstatuar gjatë periudhës dy vjeçare nga momenti i krijimit të Prokurorisë së Posaçme, mendojmë se është e domosdoshme që të bëhen disa ndryshime ligjore në funksion të rritjes së efektivitetit të punës së SPAK”- shkruhet në shkresën drejtuar Kuvendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: