NGA: OLA MITRE*
Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka miratuar një projektvendim, i cili pritet të lehtësojë procedurat e përllogaritjes së masës së pensionit për të gjithë ata persona që kanë probleme me njohjen e viteve të punës. Bëhet fjalë për VKA-në “Për disa çështje të dokumentimit të periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë për efekt pensioni, në zbatim të nenit 91, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, i kaluar në mbledhjen e datës 17 mars, të Këshillit Administrativ të ISSH-së.

Ndërkaq, burime pranë këtij institucioni sqaruan për “Gazeta Shqiptare” se disa prej rasteve që pritet të përfitojnë nga ky vendim janë personat që i kanë vitet e punës të dokumentuara me laps, ata që kanë probleme me mbiemrin e vajzërisë, kanë mangësi të regjistër, etj. “Ne kemi marrë disa angazhime për të lehtësuar dhe ulur numrin e atyre personave që shkojnë në gjykata për rastet e regjistrave që janë të mbushur me laps, diku mungon data e mbylljes, sepse ikën administratorët e ndërmarrjes etj. Për këtë arsye, po krijojmë një strukturë të re në arkivën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të verifikuar këto raste, çka do të thotë se po ngrihet një komision i posaçëm që do i verifikojë.

Ideja është që të lehtësohen sa më shumë njerëzit për të mos shkuar në gjykata. Kjo është parimisht, sepse procedurat janë të gjata, në varësi të problematikave: regjistri është i pjesshëm, dikujt i mungon mbiemri i vajzërisë, pra ka shumë probleme, por që në thelb është që thjeshtohet procedura e shqyrtimit të dokumentacionit për llogaritjen e pensionit”, u shprehën burimet për “GSH”.

ANALIZA
Ndërkaq, lehtësimi i procedurave për llogaritjen e masës së pensionit të pleqërisë u përmend edhe nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë analizës vjetore të ISSH-së, e cila u zhvillua rreth 3 javë më parë. Sipas tij, është hartuar një VKM për dhënien e kompetencave më të plota komisioneve të pensioneve për vërtetimin e periudhave të sigurimit kur ato nuk janë të plota, por që mund të vërtetohen me dokumentacione të tjera, që nuk janë pjesë e dokumentacionit të përcaktuar për lidhjen e pensioneve. “Me marrjen e kësaj mase synojmë të arrijmë një reduktim të ndjeshëm të proceseve gjyqësore, të cilat jo vetëm kanë shkaktuar lodhje dhe probleme ekonomike te qytetarët, por edhe kanë zvarritur procedurat e caktimit të pensioneve dhe kanë shkaktuar ulje të performancës së shërbimit e humbje të besimit të njerëzve ndaj sistemit”, u shpreh Klosi.

Një tjetër problem që pritet të zgjidhet me miratimin e këtij vendimi është dhe caktimi në kohë i pensionit të pleqërisë. Kjo pasi, sipas të dhënave të ISSH-së, rreth 9 për qind e pensioneve lidhen jashtë afatit të përcaktuar në ligj. Kështu, gjatë vitit që lamë pas, u rrit numri i pensioneve të lidhura në afat nga 87.6% në vitin 2014 në 91% në vitin 2015, si dhe u ul periudha e caktimit të pensioneve nga 31 ditë në mesatare në 2014 në 27 ditë në mesatare në 2015, nga 45-60 ditë që është koha maksimale ligjore. Megjithatë, rezulton se rreth 3000 pensione gjatë vitit që lamë pas u lidhën jashtë afatit të përcaktuar në ligj. Ndërkohë, duke iu referuar procedurave standarde, projektvendimi i miratuar nga Këshilli Administrativ i ISSH-së do të duhet të diskutohet fillimisht pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e më pas të miratohet në qeveri për t’i hapur rrugën zbatimit të tij.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: