Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike Aleksandër Biberaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” duke folur për manifestimin e 2 marsit, deklaroi se qytetarët duhet të dalin në shesh për Kushtetutën dhe jo për fatin e Ilir Metës.

“Mendoj ase 2 marsi është një sfidë për të gjithë popullin shqiptar. Nuk është për fatin politik të Ilir Metës, nuk ka rëndësi fati i Metës, por këtu bëhet fjalë për ruajtjen e Kushtetutës. Ne kemi humbur demokracinë, kemi humbur ndarjen e pushteteve. Nëse Rilindja kap edhe presidencën, i bie që kontrollojnë gjithçka. Nëse do të ndodhë që Rilindja të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese, i bie që Rilindja kontrollon cdo gjë. Manifestimi do të jetë paqësor dhe kam idenë që do jetë kundër maxhorancës. Mendoj se do jetë paqësore dhe fakti që është thirrur nga presidenti, do të ketë mbarëvajtje të rregullt. Mendoj se do të detyrojë kryeministrin të tërhiqet nga kapja e Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë manifestim i madh mendoj. Është mbi politikën”, tha Biberaj.

Aleksandër Biberaj theksoi se në protestë do të ketë intelektualë, studentë dhe qytetarë.

“Unë mendoj se do të jetë mbi palët. Intelektualët  kanë si synim mbrojtjen ndaj Kushtetutën. Ne si opozitë jemi angazhuar për të sjellë njerëz, sepse manifestimi, kauza e saj është e drejtë. Për reformën zgjedhore, PD dhe PS kanë rënë dakord”, u shpreh Biberaj.

Duke folur për taksën e hequr nga Kosova për Serbinë, Biberaj tha se Albin Kurti ka bërë një lëvizje të mirë për momentin.

“Unë kam qenë kundër heqjes të taksës, por gjërat kanë evoluar. Ka pasur presion nga SHBA. Sa duket Trump ka ushtruar presion. I ndodhur nën presion ta themi, zoti Kurti u tërhoq. Prononcimet e opozitës mu dukën paksa të tepruara. Zoti Kurti është në presion të vështirë, por mendoj se ka bërë lëvizjen më të mirë për momentin”, deklaroi Biberaj.

Për koronavirusin, Biberaj u shpreh se nuk beson se ka vend për panik, kurse shton se uron që Shqipëria të mos preket.

“Mjekët thonë se prek sidomos moshën e tretë. Nuk ka vend për panik. Shpresoj që të mos vijë në Shqipëri. Në asnjë rast nuk duhet të përfshihemi në panik. Ka një vdekshmëri 2 a 3 për qind, nuk është situatë alarmante. Uroj të mos vijë, por nëse vjen, duhet të angazhohemi të gjithë”, tha ai.

Aleksandër Biberaj ka nënvizuar se i vjen keq që është arrestuar një njeri i medias, duke vlerësuar se nuk mund të komentojë dot vendimet e drejtësisë.

“Normalisht, si njeri i medias, më vjen keq. Uroj, shpresoj dhe besoj se drejtësia të shkojë deri në fund, gjithçka të zbardhet. Nuk mendoja se do ishte radha e zotit Cili, kur ka ministra, deputetë,  kriminelë. Por gjithsesi nuk dua të komentoj drejtësinë. Uroj të mos ketë sfond politik. Drejtësia duhet të shkojë përpara”, deklaroi Biberaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb