TIRANE- Një ditë pas dhunimit të gazetarit Eduard Ilnica, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kërkoi që hetimi dhe gjykimi i autorit të ngjarjes të jetë shembullor.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar me rastin e Ditës së Drejtësisë, ministri Manjani tha se “duhet të fillojmë të besojmë të paktën që në ditën e drejtësisë të japim një simbolikë që drejtësia do funksionojë”.

“Një gazetar, është rrahur barbarisht. Një personazh që ushtron një të drejtë kushtetuese dhe ndihmon qytetarët e Republikës së Shqipërisë për tu informuar. Hetimi dhe gjykimi i rrahësit kërkoj që të jetë shembullor. I uroj gazetarit shërbim të shpejtë. “- deklaroi ministri Manjani.

DITA E DREJTËSISË, ZAGANJORI: ME PËRKUSHTIM TË REALIZOJMË NJË REFORMË SA MË E SUKSESSHME

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka folur ditën e sotme lidhur me Ditën e Drejtësisë, 10 maj. Zaganjori tha se drejtësia shqiptare ka probleme të shumta, por tha se është me rëndësi realizimi i Reformës në Drejtësi.

“Dhjetë maji konsiderohet si Dita e Drejtësisë. Në duhet të mbështesim reformën në drejtësi. Duhet të ketë sa më shumë përkushtim për realizimi e saj”, tha Zaganjori.

MESAZHI I PLOTË I MINISTRIT TË DREJTËSISË, YLLI MANJANI NË DITËN E DREJTËSISË

“Është një privilegj për mua që në vitin e 103 të historisë së shtetit tonë të gjendem në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, detyrë të cilën Ministri i parë i Drejtësisë e promovoi me miratimin e “Kanunit të Zhurisë” dhe pas 103 vjetëve jemi tek reforma e drejtësisë.

Reforma e drejtësisë është projektuar dhe do të duhet të bëjë dallimin ndërmjet dy shekujve, sepse në 103 vjet e vërteta është që ka patur progres, është shtuar sasia e legjislacionit të prodhuar, është shtuar sasia e strukturave shtetërore që merren me drejtësinë, është shkëmbyer sigurisht eksperiencë, madje ndonjëherë edhe me import të gatshëm të modeleve apo të historive të suksesit të shoqërive të tjera, por në fakt pas 103 vjetësh e vërteta është që drejtësia është e pabesueshme, jo efiçente, jo e drejtë dhe kjo na ka shkaktuar të gjithëve së bashku një problem shumë të madh me qytetarët shqiptarë, të cilët paguajnë taksa dhe presin një drejtësi efektive.

Ky është një mjedis përkujtimor, që na bën të reflektojmë dhe nuk do të doja të shkoja tek gjuha kritike, por dua të sjell në vëmendje dy simbolika shumë interesant, që tregojnë se shpresa është e madhe. Është fjala për një jurist amerikan që bën një përmbledhje te jurisprudencës gjermane. Fiks sot në territorin e Shqipërisë gjenden misione gjermane dhe amerikane që asistojnë reformën, e cila nuk është kaq e thjeshtë sa “Kanuni i Zhurisë”, në fakt gjuha e thjeshtë e “Kanunit të Zhurisë” është e jashtëzakonshme dhe do të doja shumë që ta kishim prezente këtë lloj gjuhe, madje ka edhe disa fjali për ate që ne e quajmë dekriminalzim.

Sot jemi në një situatë tjetër, në një shekull tjetër dhe falendroj shumë misionin Euralius dhe misionet e SHBA-së, që realisht na gjenden pranë në këtë përpjekje serioze të shtetit shqiptar për të reformuar sistemin e drejtësisë, ashtu sikurse jam i bindur se këtë radhë nuk është një çështje “import-eksportesh”, por një çështje shkëmbim përvojash dhe ajo që ka më shumë rëndësi është faza e zbatimit. Refoma tashmë për mua është e mbyllur dhe zbatimi me sukses i çdo reforme kërkon padiskutim dinjitetin kombëtar të shoqërisë dhe vendit ku ajo reformë zbatohet. Ky është kusht i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem drejtësie krejt ndryshe nga sa e kemi deri më sot.

Jam plotësisht dakort me temën e këtij takimi, që ka të bëjë me konstitucionalizmin, si filozofi drejtuese por edhe si parim i qeverisjes së mirë në tërësi, i cili që duhet ta themi se ka marrë goditje të rënda. Kemi pasur ndryshime të shpeshta në Kushtetutë dhe po përgatiten ndryshimet e pesta në radhë, që tregojnë një lloj destabiliteti ,sepse Kushtetuta është marrëveshja politike e shoqërisë në momentin që ajo bëhët dhe ne e dimë që ndryshimet politike janë shumë dinamike por kjo jo detyrimisht duhet të çonte dhe duhet të çojë në destabilitet juridik. Prandaj merr vlerë Gjykata Kushtetuese, prandaj merr vlerë jurisprudenca kushtetuese, sepse është ajo që i jep jetëgjatësi normës kushtetuese, filozofisë së konstitucionalizmit. Të gjithë atë që kemi arritur deri më sot përmes standardit të gjykimit kushtetues në tërësinë e vetë duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë akoma më shumë, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatave Kushtetuese pararojë. Por nuk duhet harruar për asnjë rast Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ku trajtimi i çështjeve të veçanta është absolutisht Bibla e çdo zbatimi në praktikë e të drejtave kushtetuese.

Sot kam edhe një thirrje për trupën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve sepse na ka ndodhur një ngjarje në simbolikën e Ditës së Drejtësisë, ku është rrahur barbarisht një gazetar, i cili ushtron një të drejtë kushtetuese dhe ndihmon qytetarët e Republikës së Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u informuar. Hetimi dhe gjykimi i dhunuesit duhet të jetë shembullor. I uroj gazetarit shërim të shpejtë dhe të paktën në Ditën e Drejtësisë të japim një simbolikë se drejtësia do të funksionojë.

Unë them se në 100 vjetorin e dytë të shtetit do të jetë një histori ndryshe, padiskutim një drejtësi tjetër, një sistem tjetër, një shoqëri që do të duhet të shohë nga e ardhmja sepse pakkujt i ka ndodhur siç na ndodh ne që të shohim nga e shkuara dhe të na duket e shkuara më e mirë se e ardhmja.

Shpresoj shumë te reforma në drejtësi, tashmë e miratuar, e cila do të plotësohet me akte të tjera ligjore dhe është moment të bëj thirrjen e dytë për të gjithë komunitetin e juristëve që të jenë përfshirës dhe janë të ftuar të marrin pjesë në çdo diskutim që bëhet për të ndërtuar bazën legjislative të shekullit të ri dhe sistemit të ri të drejtësisë.

Dua t’ju uroj gëzuar Ditën e Drejtësisë në këtë 103 vjetor dhe punë të mbarë dhe sa më shumë veprimtari në dobi të shoqërisë”

(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb