TIRANE- Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka kërkuar t’u hiqen certifikatat 29 përmbaruesve gjyqësorë privatë. Urdhri ka ardhur pas verifikimit të regjistrit, ku ka rezultuar se këta përmbarues nuk ishin regjistruar “aktivë”.

“Sipas kompetencave ligjore të atribuara nëpërmjet akteve ligjore dhe nënligjore si dhe nga verifikimi i Regjistrit të Përmbaruesve Privatë, rezulton se 29 përmbarues të certifikuar nuk janë të regjistruar në regjistrin e përmbaruesve gjyqësorë privatë me statusin “Aktiv”, që do të thotë se nuk e kanë ushtruar funksionin publik të përmbaruesit privat për më shumë se një vit.

Gjithashtu, nga verifikimi i regjistrit të përmbaruesve privatë rezulton se këta përmbarues nuk janë të regjistruar në këtë regjistër as me statusin “Pezulluar”, që do të thotë se për ta nuk kishte një urdhër pezullimi të vlefshëm, për sa kohë ai mund të ushtronte një detyrë shtetërore, administrative, apo publike. Në referencë të nenit 22, të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, përmbaruesit gjyqësor i hiqet certifikata dhe çregjistrohet nga regjistri kur me kalimin e një viti nga mbarimi i detyrës, subjekti fizik nuk paraqet kërkesë për rifillimin e veprimtarisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në përfundim të kontrollit administrativ mbi regjistrin e përmbaruesve gjyqësorë privatë është konstatuar fakti se përmbaruesit gjyqësor privat (gjithesej 29) për më shumë se 1 (një) vit, pa asnjë shkak të arsyeshëm nuk e kanë ushtruar funksionin publik të përmbaruesit gjyqësor, për të cilin janë certifikuar nga Ministri i Drejtësisë.

Për këto arsye në mbështetje të shkronjën “a”, të nenit 10, të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, ka urdhëruar heqjen e 29 certifikatave të përmbaruesve gjyqësor privat dhe çregjistrimin e tyre nga regjistri i përmbaruesve gjyqësorë privat.

Në rastin konkret vlerësohet se heqja e certifikatës dhe çregjistrimi nga regjistri i përmbaruesve gjyqësorë privatë do të japë efekte në rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në të gjithë sistemin e përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe në mënyrë të veçantë do ndikojë në përmirësimin dhe respektimin e zbatimit të ligjit 10031/2008 dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, lidhur me veprimtarinë e përmbaruesve gjyqësorë privat.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb