KORÇË- Akulli dhe ngricat në rrugë prej disa ditësh kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Lidhur me këtë situatë ka reaguar kryetari i PD në Korçë, Andrea Mano i cili ka akuzuar kryebashkiakun e Korçës Sotiraq Filo se nuk ka marrë masat e nevojshme për pastrimin e rrugëve. Më tej Mano thotë se janë të shumtë ata qytetarë që i janë drejtuar spitalit më fraktura të ndryshme pasi kanë rrëshqitur në akull.

“Qytetarët pyesin se ku është kryetari i bashkisë, që duhej të ishte çdo ditë në teren për të inspektuar pastrimin e rrugëve dhe të rrugicave të qytetit, që duhej të ishte çdo ditë në spital për të vizituar ata që ai po i traumatizon çdo ditë me akullin që nuk po pastron”, deklaron Mano.

Mano thotë se: “Askush nuk e ka parë këto ditë të bëjë punën për të cilën është votuar. Dikush tha se po bënte selfie në majë të kullës, të asaj kulle që ashtu sikundër e ka thënë një  filozof i shquar shqiptar është ndoshta ndërtimi më i shëmtuar i viteve të fundit në gjithë Shqipërinë, dikush tha se po bënte patinazh n pistën e patinazhit, por askush nuk tha që e pashë në rrugën apo rrugicën time për t’u interesuar për pastrimin e tyre nga akulli, askush nuk tha që e pashë në lagjen time për të inspektuar pastrimin e rrugëve.”

“Në këtë fillim viti, rrugët e qytetit janë kthyer në një rrezik  të madh për sigurinë e qytetarëve. Prej mëse një jave akulli dhe ngrica kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve madje edhe të këmbësorëve në shumicën e qyteteve. Mbi 70% e territorit të bashkisë së Korçës prej mëse një jave është nën pushtetin e akullit, por të pafuqishëm për të ndryshuar fenomenet natyrore, njerëzit kanë pritur dhe ende presin të reagojë bashkia. Taksapaguesit korçarë që paguajnë taksat rregullisht presin më kot që këto taksa të kthehen në shërbime më të mira për ta”, tha Mano.

Më tej ai shtoi se kjo situatë duhet të kishte nxitur reagimin e kryebashkiakut kur në qytetin e tij me qindra njerëz do të përfundonin në spital nga frakturat e rrëshqitjes në akull.

“Zoti Kryebashkiak e lexoi dhe e pa këtë lajm në të gjitha mediat dhe nuk reagon akoma. Mos ndoshta synon të fusë në allçi gjithë korçarët dhe të paralizojë jetën në qytetin tonë, qytet që vetë kryeministri i vet e shpalli për turizëm elitar?!”- shtoi më tej ai.

Mano nënvizon se në një vend demokratik do të mjaftonte ky lajm që kryetari i bashkisë të jepte dorëheqjen për dëmin që me veprimin ose mosveprimin tij po iu shkakton qytetarëve të vet, dëm të pariparueshëm për shëndetin e tyre.

Mano i bën thirrje kryebashkiakut Filo që në këtë situatë emergjence për qytetin e Korçës të lërë mënjanë gjithçka tjetër dhe të zbresë në terren, të marrë masa urgjente për pastrimin  e rrugicave në lagjet 1, 2, 3, 11, 12, si dhe rrugët në lagjet 4, 5, 6, 7, 8, 10, 13, 14, 15, 16 ,17.

“I kërkojmë të shpenzoje sa më pak kohë në kullën e shëmtuar që i bëri dhuratë qytetit dhe të shkojë të shohë gjendjen e rrugëve që ngushtoi pa një plan të detajuar për dhe trafikun e papërballueshëm për qytetarët korçarë, trafik i cili asnjëherë nuk ka qenë problem për qytetin tonë, i kërkojmë të shkojë të bëjë punën për të cilën është votuar”, – deklaroi Mano.

Nëse nuk do të ketë një reagim apo nuk do të merren masa për këtë situata kreu i PD për Korçën thotë se do të duhet të presim përmirësimin e motit dhe ngritjen e temperaturave nga Zoti për të larguar akullin nga rrugët dhe rrugicat tona.

“Kjo do të ishte e rëndë për qytetin tonë, do të ishte e rëndë për të gjithë taksapaguesit korçarë që paguajnë taksa që qyteti dhe rrugët e tij të jenë në gjendje normale, dhe do të shtonte shumë numrin e atyre qytetarëve që mendojnë se qyteti jonë është realisht pa kryetar bashkie”, përfundon kryetari PD në Korçë Andrea Mano.

(a.h / BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: