Nga: Teuta Vodo*
Ka disa kohë që ka dalë nga botimi libri më i ri i Dr. Jorgji Kote “Diplomacia për të gjithë”. Pas Tiranës, ai u promovua edhe në Bruksel, si manuali i parë praktik i këtij lloji për çdo të interesuar, që ndihmon për të kuptuar, vlerësuar dhe për të “ecur” në të gjashta korsitë e diplomacisë së sotme – zyrtare, parlamentare, ekonomike, publike, të kulturës dhe asaj qytetare.
Krahas kërkesave dhe nevojave aktuale të mprehta që pasqyron, vlerat dhe sidomos besueshmërinë e këtij libri i evidenton më shumë fakti se autori është diplomat aktiv, me një karrierë mbi 30-vjeçare në shërbimin e jashtëm, duke përfshirë edhe punën në metropole të njohura ndërkombëtare, si Berlin dhe Bruksel. Ja pse, siç thotë botuesja e mirënjohur, Irena Toçi “Diplomacia për të gjithë” është libri i duhur, i ardhur në momentin e duhur, i shkruar nga personi i duhur. Por, ky libër nuk do të ishte lexuar me kaq kërshëri dhe nuk do të kishte tërhequr vëmendjen e një numri të madh lexuesish, nëse nuk do të ishte shkruar me një gjuhë të pasur e të thjeshtë, me argumente e shembuj të kuptueshëm, me tema e trajtime interesante dhe me citime nga figura të shquara të diplomacisë botërore”.
Specifikë tjetër e rëndësishme e tij është trajtimi për herë të parë në literaturën tonë diplomatike në përmasa tërësore të koncepteve të “fuqisë së ngurtë dhe fuqisë së butë (“hard dhe soft power”) dhe kombinimit të tyre në “fuqinë inteligjente” (“smart power”).
Po ashtu, duke iu referuar personaliteteve më të spikatura, praktikës së gjerë ndërkombëtare dhe asaj të vendit tonë, autori ka shtjelluar me origjinalitet teorik dhe praktik “diplomacinë integrale/me shumë korsi” (“multi-track diplomacy”) si kombinimi efektiv i të gjashta dimensioneve të lartpërmendura të diplomacisë moderne. Jorgji të flet me mirënjohje për vlerësimet nga shumë kolegë, miq e dashamirës, Ambasadorë, diplomatë dhe profesorë të nderuar të kësaj fushe ku spikatin: Mjeshtri i Madh i diplomacisë, Shaban Murati, Prof. Dr. Lisen Bashkurti, Prof. As.Mirela Bogdani dhe Tonin Gjuraj, publicisti Ylli Polovina etj.
Më konkretisht, në fjalën e tij në promovimin e librit në Tiranë, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ndër njohësit më të shquar teorikë, praktikë dhe akademikë në fushën e diplomacisë profesioniste shprehet se “ky libër përbën një manual të plotë të diplomacisë, si veprimtari, si art, si mjeshtëri, si aspekt i rëndësishëm i realizimit të politikës së jashtme. Ai është i nevojshëm për punonjësit e marrëdhënieve me jashtë në ministri dhe në institucione qendrore, në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore jashtë vendit, në organet e pushtetit vendor, në sipërmarrje dhe biznese të ndryshme, por edhe për studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Ndërsa gazetari dhe publicisti Gjovalin Kola gjatë promovimit të këtij libri në Bruksel evidentoi vlerat e shumta lidhur me dimensionin e diplomacisë zyrtare dy dhe shumëpalëshe, sfidat dhe problemet që kanë sjellë dukuritë e reja në këtë drejtim, informacioni i gjerë e i larmishëm dhe përfundimet bindëse për shumë probleme aktuale.
Nga ana e vet, profesori i shkencave politike të Universitetit të njohur të Leuvenit, Dr. Elhami Shaqiri nënvizon kontributin e vyer teorik dhe praktik të librit në shtjellimin e raporteve ndërmjet politikës dhe diplomacisë dhe të analizave në procesin e vendimmarrjes diplomatike. Sipas tij, “Diplomacia për të gjithë” shtron për diskutim në planin teorik, por sidomos në atë praktik mënyrat, format dhe mjetet për rritjen e efikasitetit të veprimit diplomatik në raport me zbatimin e prioriteteve të politikave kombëtare të një vendi”.
Ndërsa për ne dhe të gjithë ata që janë jashtë sferës së diplomacisë zyrtare, por të lidhur dhe të interesuar për të, libri në fjalë ravijëzon qartë edhe rolin në rritje të diplomacisë publike, kulturore dhe qytetare, si dhe bashkërendimin e tyre me dimensionet e tjera diplomatike. Autori ia ka dalë mbanë t’i pasqyrojë bindshëm këto lidhje dhe raporte edhe nëpërmjet afirmimit të përvojës ndërkombëtare, mangësive dhe risive në diplomacinë tonë dhe zhvillimet më të fundit në këto fusha përparësore për imazhin e vendit. Këtë libër e bëjnë më konkret e të tërheqës edhe shembujt e shumtë dhe galeria e pasur e portreteve nga vendi dhe nga shembujt e suksesit të bashkatdhetarëve tanë me banim në Belgjikë e gjetkë.
Më tej, Ermelinda Hajdari, menaxhere biznesi në një firmë të njohur në Anversë, pohon me të drejtë se ky libër i bën një analizë tërësore elementeve të diplomacisë ekonomike, domosdoshmërisë së saj, lidhjen e ndërsjellë dhe bashkëveprimin e natyrshëm me diplomacinë zyrtare dhe komponentët e tjerë.
Falë këtyre vlerave dhe tipareve të dukshme, për këtë libër shfaqi interes të veçantë edhe qendra e mirënjohur evropiane e Studimeve Strategjike “CERIS” në Bruksel. Sekretari i saj i Përgjithshëm, Profesor Andre Miroir, shprehu kënaqësinë që promovimi i tij u bë me një prani elitare në atë qendër, në auditorin që mban emrin e diplomatit të shquar ndërkombëtar belg, A. Cohen.
Padyshim që pas dhjetëra shkrimeve me interes në shtypin tonë, botimeve të mëparshme e sidomos “Berlini pa Mure” dhe “Në Vetërrethim”, libri “Diplomacia për të gjithë” përbën një pikë referimi për trajtimin e problematikës aktuale në fushën aq të ndjeshme të diplomacisë sonë zyrtare dhe më gjerë. Ndaj dhe Ministria jonë e Jashtme me gjithë hapat pozitive edhe në këtë fushë, mund të bëjë më shumë për promovimin dhe diskutimin e botimeve cilësore të diplomatëve tanë. Bën shumë mirë që organizon ligjërata e debate edhe me autorë dhe personalitete të huaja. Por, gjatë 25 viteve të fundit, me gjithë “kusuret dhe gjynahet”, duhet pranuar se dhe te ne është krijuar një brez i përgatitur diplomatësh profesionistë në të gjitha fushat, të cilët vërtet nuk u lenë gjë mangët kolegëve të tyre të huaj.
Kësisoj, përvoja e tyre praktike dhe me shumë vlera, në kushtet e halleve dhe vështirësive specifike të trupës tonë diplomatike, mund e duhet të promovohet më shumë, pa kurrfarë nënvleftësimi. Po ashtu, kombinimi i përvojës së tyre me personalitete të njohura në fushën teorike dhe akademike të vendit dhe të huaj do të ishte edhe më e parapëlqyeshme. Ndryshe, vetëm fetishizimi i pajustifikuar i përvojës së huaj apo dhe i asaj të disa akademikëve ose dhe ekspertëve të jashtëm, sado emër që të kenë, do ta bënte këtë proces jo të besueshëm, madje “bookish (libresk)”. Ky është një përfundim i logjikshëm që del natyrshëm pasi mbaron së lexuari “Diplomacia për të gjithë”.

Autorja është doktore e Shkencave Politike dhe asistente profesore në Universitetin e Lirë të Brukselit.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: