MAQEDONI- Historianët shqiptarë thonë se shqiptarët si komb nuk janë identifikuar asnjëherë me simbolin e luanit, paçka se haset aty-këtu në simbole dhe stema lokale. Sipas Vebi Xhemailit as luani, por as edhe ndonjë element tjetër nga stema e propozuar nuk përfaqëson shqiptarët. Xhemaili vlerëson se partia shqiptare në pushtet duhet të kujdeset që të mos zhvlerësohet popullsia shqiptare në Maqedoni gjatë krijimit të simboleve shtetërore.
“Unë si historian nuk shoh asnjëfarë elementi shqiptar në atë stemë apo tek luani, edhe pse dikur fiset ilire e kanë përdorur atë por sot nuk kemi të përbashkët asgjë me luanin sidomos pas luftërave të Skënderbeut i cili ka mbrojtur edhe shqiptarët por edhe popujt e tjerë të Ballkanit… Subjekti politik shqiptar që merr pjesë në qeveri duhet të kundërshtojë me gjithë forcat e saj, dhe mos të pranojë diktatin e anës së VMRO-së dhe diktatin e Qeverisë, shkaku se ne de fakto e de-jure, me mos pranimin e asnjë kërkese tonën, ne ngadalë po fshihemi nga historia jonë kombëtare, nga trojet tona etnike”, tha Vebi Xhemaili, historian.

Edhe historiani Muzafer Bislimi, ish sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës, thotë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.

“Dëgjova deklaratat kinse ka elemente shqiptare, me arsyetimet se luani si stemë është përfshirë në disa qytete të Republikës së Shqipërisë, që është e vërtetë se në stemën e Durrësit, Tiranës.. është luani, por nëse flasim si element i cili është i përfaqësuar te shqiptarët si komb, luani nuk ka qenë asnjëherë i tillë. Besoj se nuk ka shqiptarë që mund të thotë se luani është përdorur ndonjëherë si element unifikues për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Muzafer Bislimi, historian.

Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.
(ma.ar/alsat/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: