SHKUP- Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë, ka promovuar pullën postare me portretin e Faik Konicës, me rastin e 75-vjetorit të vdekjes.

Në ceremoninë e promovimit, që u zhvillua në kuadër të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 10-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ishin të pranishëm zëvendëskryeministri Hazbi Lika, i shoqëruar nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, drejtori i e ITSHKSH-së, Skënder Asani Asani, drejtori i Postës së Maqedonisë, Faadis Rexhepi dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Zëvendëskryeministri Lika, e uroi drejtorin e ITSHKSH-së dhe punëtorët shkencorë të Institutit për punën e bërë dhe angazhimin ambicioz në afirmimin e gjuhës, historisë, traditës e kulturës shqiptare në Maqedoni.

Autore e kësaj pulle postare, me një tirazh prej 6 mijë kopje, është Larisa Zhivkovska-Donev nga Byroja e Filatelisë. Pjesë e promovimit ishin edhe pullat postare me figurat e tjera kombëtare shqiptare të ekspozuara në sallën e Institutit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb