Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, konfirmoi se Maqedonia e Veriut ka dëbuar edhe një diplomat rus nga vendi.

I pyetur në një konferencë për media rreth informacioneve për dëbimin e diplomatit rus, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, Osmani konfirmoi, por u shpreh se informacioni është konfidencial dhe nuk mund të japë detaje rreth arsyes së dëbimit.

“Ministria e Punëve të Jashtme, sa herë që merr informacion të konfirmuar dhe të dokumentuar në lidhje me sjelljen e diplomatëve të huaj të akredituar, që është në kundërshtim me parimet e Konventës së Vjenës, merr masat për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare, por edhe sigurinë e aleatëve në aleancën të cilës i përkasim. Kështu që informacioni është i saktë”, u përgjigj ai.

Kujtojmë se ky është rasti i dytë sivjet që një diplomat rus të dëbohet nga Maqedonia e Veriut.

Më 18 maj të këtij viti, Maqedonia e Veriut e shpalli një diplomat rus “person të padëshirueshëm” në vend në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

Atëherë, Rusia u përgjigj dhe më 10 qershor të këtij viti njoftoi se një diplomat i punësuar në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Moskë ishte shpallur “person i padëshirueshëm”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb