Në qytetin e Bllagoevgradit të Bullgarisë, ditën e djeshme është hapur një klub kulturor maqedonas me emrin “Nikolla Vapcarov”, si kundërpërgjigje ndaj hapjes së klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, me emra të disa personaliteteve nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që kontestohen nga pala maqedonase.

Klubi kulturor maqedonas është hapur nga shoqata “OMO Ilinden Pirin”, e cila tubon pjesëtar të pakicës maqedonase, por nuk njihet nga autoritetet bullgare. Përfaqësuesi i klubit, Atanas Maznov, në një deklaratë për mediat u shpreh se hapja është bërë “me qëllim të afrimit të dy popujve.

“Ky është një klub që do të ndihmojë Bullgarinë të njohë kulturën maqedonase, e bashkë me të edhe popullin maqedonas. Ky klub vërtet mund t’i bashkojë njerëzit dhe të kapërcejë dallimet”, tha Maznov.

Në hapjen e klubit kanë marrë pjesë edhe liderët e partive opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së dhe Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta” dhe përfaqësues të kabinetit të presidentit, Stevo Pendarovski.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: