Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut për Çështjet Ekonomike, Milla Carovska është vendosur në vetizolim të detyrueshëm, pasi javën e kaluar ajo pati një takim me nënkryetarin e LSDM-së, Muhamed Zeqiri, i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri.

Carovska ka shkruar në profilin e saj në Facebook, se ka rezultuar negativ nga testimet e bëra dhe se deri më tani nuk ka shfaqur simptoma të COVID-19, por që sipas anketës epidemiologjike, ajo duhet të vetizolohet deri më 9 qershor.

“E informoj publikun se nga sot jam në vetizolim të detyrueshëm, pasi dje kolegu im Muhamed Zeqiri rezultoi pozitiv me COVID-19. Gjatë javës së kaluar kemi pasur një takim me të, ku ishim të gjithë me pajisje mbrojtëse dhe në distancën e rekomanduar”, theksoi ajo.

“Sidoqoftë, sipas anketës epidemiologjike, detyrimisht do të jem në vetizolim deri më 9 qershor. Gjatë ditës së djeshme, bëra testin që rezultoi negativ. Deri më tani nuk kam simptoma dhe ndjehem mirë. Unë vazhdoj të kryejë të gjitha përgjegjësitë e mia të punës pa ndërprerje nga shtëpia”, shtoi ajo.

“Familjes Zeqiri i dëshiroj rikuperim të shpejtë dhe të suksesshëm si dhe të gjithë qytetarëve tjerë që janë duke luftuar me koronavirusin”, ka shkruar Carovska.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb