Nga VASIL KURETA*

Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje se Maqedonia është pika më e ndjeshme e rajonit apo thënë
më troç, e sëmura e Ballkanit Perëndimor.

Maqedoninë e kanë zënë dhimbjet e ndryshimit të vërtetë, e drejtimit të plotë e përfundimtar të saj nga standardet demokratike e të shtetit ligjor, nga civilizimi i vërtetë e vlerat europiane. Nuk bëhet fjalë për kozmetikë, për largim të një apo disa njerëzve, vërtet përgjegjës të situatës, apo për shuarje të ndonjë zjarri apo konflikti, për ndonjë korrigjim, apo për largim të një drejtuesi apo të një qeverie që ka dështuar në programin e saj, apo thjesht për sjelljen e opozitës në parlament, por për një ndryshim esencial e këtë radhë të vërtetë.

Maqedonia duhet të ndahet mirë nga shumë sëmundje e infeksione të rënda, që kanë dëmtuar rëndë bazamentin mbi të cilin është ngritur dhe ekziston, të mohojë ato dhe të pohojë e të materializojë standardet e demokracisë e të shtetit juridik, t’i bëjë ato funksionale, të bëjë pjesë të funksionimit politik, ekonomik e social të saj vlerat e qytetërimit europian. Maqedonia është realisht në kërkim të vetvetes e të së ardhmes së saj të sigurt. Ky problem tashmë është shtruar për zgjidhje. Vërtet duhet ta zgjidhin maqedonasit e shqiptarët bashkë, populli i këtij vendi, por që nevojitet maksimalisht mbështetja e ndihma e specializuar e BE dhe SHBA.

Zgjidhja e krizës maqedonase është në interes të popullit të saj, të bashkëjetesës ndëretnike, por njëherësh është në interes të stabilitetit e të ardhmes së të gjithë rajonit tonë. Nuk ka vend as për frikëra, paragjykime e anatemime, as për paternalizma, por as për indiferencë e neglizhencë, sepse rajoni jonë afektohet nga përplasja e strategjive e të ëndrrave të vjetra ekspansioniste, me ngjyra të qarta politike e fetare. Edhe zgjidhja e kontradiktës në Maqedoni ka kohën e saj sot e nuk duhet lejuar të acarohet më tej, të vonohet zgjidhja. Nevojitet vërtet një shkundje nga BE, që të mos harxhojë nesër energji për përballjen me pasojat e pakëndshme dhe shumë të vështira për t’i përballuar.
Në fakt, ka filluar një lëvizje nga BE për të trajtuar situatën e krijuar dhe problemin e vërtetë që ka ky shtet ballkanik. Nuk është një problem i lehtë për t’u zgjidhur, por edhe shpresë nuk mund të ketë, nëse nuk ka një njohje të plotë të gjithë elementëve përbërës të situatës në Maqedoni, të përmbajtjes së problemit në këtë shtet. Dhe ja vijnë edhe njoftimet e para, se bisedimet me komisionerin Han dështuan. Natyrisht, që problemet e akumuluara e komplekse, që ka çështja maqedonase nuk mund të zgjidhen me një takim, por as nuk mund të fillojë një zgjidhje e vërtetë nëse nuk ka një strategji që vë pikën mbi ‘i’, mbi plagët e vërteta të shoqërisë dhe politikës qeverisëse të këtij shteti. Nëse nuk ndan të vërtetën nga mashtrimet, nëse nuk vë para përgjegjësisë ligjore inspiruesit e shkaktarët e krijimit të kësaj situate. Nëse nuk kapërcehen deformimet e goditjet që i kanë bërë bazamentit mbi të cilin ky shtet qëndron, nëse nuk ndodh realisht ndryshimi i vërtetë, nëse nuk zhvillohet një terapi intensive luftuese e shëruese nga sëmundjet e shovinizmit e racizmit antishqiptar. Nëse nuk çrrënjoset një praktikë e tërë e ndotur rëndë me autoritarizëm qeverisës, e ndotur rëndë me korrupsion, antishtet e antidemokraci, me shovinizëm e armiqësi ndëretnike e antishqiptare. Nëse nuk thuhen qartë sëmundjet e vërteta të Maqedonisë dhe nuk definohet një rrugë e metodë e sigurt që hap portën e zgjidhjes së shëndetshme të situatës, që shtron shinat reale të stabilitetit e funksionimit real social, ekonomik e politik, të mbështetura në standarde demokratike e shtetit ligjor, të harmonisë ndëretnike, të materializimit në shoqërinë e këtij vendi, të vlerave të vërteta qytetëruese e europiane.

Maqedoninë e kanë ulur në gjunjë sëmundje të rënda e pushtetarë të sëmurë rëndë. Më e keqja është se koha e kësaj situate është e gjatë dhe sëmundjet janë bërë kronike, kanë infektuar struktura institucionale e sociale e për këtë arsye, janë të vështira për t’i shëruar. Është shkuar shumë larg dhe e kanë larguar shumë këtë shtet nga standardet demokratike, civilizimi dhe vlerat europiane, përmes axhendave të pista e të korruptuara. Megjithatë, shpresat nuk kanë humbur, nëse sëmundjet e situata shihet në sy dhe reflektimi bëhet i plotë, i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm. Nevojitet ndryshim i gjithçkaje, i thellë e i vërtetë.

Mes njoftimeve e lëvizjeve për të zgjidhur krizën maqedonase, vjen një prononcim i kryeministrit Gruevski, në një intervistë dhënë gazetës austriake “Die Presse”, ku bie në sy theksimi prej tij se qeveria e tij ka mandat për të qeverisur dhe gjatë tri viteve të ardhshme dhe se nuk mendon të japë dorëheqjen. “Mandati ynë është katërvjeçar. Një, tashmë mbaroi. Kështu që kemi edhe tri vitet të tjera. Pavarësisht nga kjo, -nënvizo ai – ne kemi rënë dakord për zgjedhje të reja, madje edhe deri në fund të korrikut, por opozita kërkon zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm. Qytetarët duhet të zgjedhin se kush do të jetë në pushtet dhe kush në opozitë”. Ndërsa për ngjarjen e Kumanovës, deklaroi: “Në Maqedoni nuk ka potencial për konflikt etnik, se shqiptarët janë të integruar plotësisht, madje edhe si pjesë e qeverisë. Në incidentet në Kumanovë nuk kishte konflikt etnik, atje u zhvillua një betejë 30-orëshe mes forcave maqedonase të sigurisë dhe një grupi të armatosur”. Nga ky pohim kuptohet se Republika ish-jugosllave e Maqedonisë nuk ka ndonjë problem e shqetësim, por një normalitet edhe pse mjedisi social e institucione të rëndësishme shtetërore shpalosin shfaqje shovene, raciste e armiqësore ndaj shqiptarëve, se demokracia funksionoka edhe pse opozitë në parlament nuk ka, se shteti funksionon edhe pse policia e tij shfaq brutalitet policor, ku vret njerëz dhe kryen dëme të mëdha materiale e terrorizon një komunitet të tërë të të gjitha moshave, edhe pse institucionet shtetërore nuk kanë mundësuar plotësimin e standardeve për anëtarësim në BE e në NATO dhe janë grumbulluar probleme të mprehta sociale e fenomene negative si korrupsioni e krimi i organizuar.

Edhe pse me vonesë, por nuk mund të mos vlerësohet pohimi i kryeministrit maqedonas se nuk ka potencial për konflikt etnik dhe se ngjarja në Kumanovë nuk ishte një konflikt ndëretnik. Por nuk mund të mos ndalesh pse priti kaq kohë Gruevski ta bënte këtë pohim? Ai e kishte të gjithë informacionin se si u stis, kush e kreu e si përfundoi ai skenar i pistë, që dështoi të shitej si një konflikt ndëretnik. Po kështu, ai përsëri tund “normalitetin”, kur pohon se shqiptarët janë të integruar plotësisht, madje edhe si pjesë e qeverisë, kur Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht dhe madje është penguar nga qeverisja të zbatohet, teksa ajo nuk ka kryer detyrimet që rrjedhin prej saj, apo kur drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe të shërbimit sekret, komunikojnë mes tyre me ngarkesa e mendësi hitleriane e armiqësore ndaj shqiptarëve, i quajnë egërsira e flasin për shfarosje brenda një ore të tyre.
A mund ta mendojë njeri seriozisht se këto kanë qenë mendime thjesht personale të tyre e jo pjesë e filozofisë qeverisëse, aq më tepër kur kryeministri Gruevski e falenderon për punë të mirë ish-ministren e Brendshme të tij me mendësi gëbelsiane. Po kështu, ky kryeministër nuk e ka parë dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve të pafajshëm e pronave të tyre edhe përmes brutalitetit policor të shtetit, apo edhe faktin tronditës së ngarkesës së lartë armiqësore mes maqedonasve ndaj shqiptarëve, deri te të rinjtë e fëmijët maqedonas, që sillen si egërsira ndaj moshatarëve të tyre edhe në mjedise publike, autobus e në rrugë. Nuk e di vallë kryeministri i këtij shteti, që aspiron anëtarësim në BE, se fëmijët shqiptarë në shkolla mësojnë më vete e jo bashkë me maqedonasit? Po kështu, nuk ka dijeni kryeministri maqedonas se struktura që quhen “shkencore”, të fushës së historisë, gjuhësisë etj. prodhojnë shtrembërime historike, shpifje e pohime negative, fyese ndaj historisë e kulturës së kombit shqiptar? Si një përforcim të këtij realiteti e provë më e freskët e vazhdimësisë së mendësisë antishqiptare, këto ditë, një farë anëtare e Akademisë së Shkencave. K.Cullakova, në gazetën “Vecer”, mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët maqedonas e quan publikisht “krim kulturor” dhe që “kërcënon në tërësi pasqyrën identitare të shtetit maqedonas”!

A nuk i ka dëgjuar kryeministri i këtij shteti, aspirant për në BE, thirrjet e shpeshta edhe ditët e fundit në mjedise publike, në korr, të tipit “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, apo se “shqiptarëve do t’u heqim kokën si zogu”, apo të tipit hitlerian “dhoma gazi për shqiptarët”? Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë dënim institucional ndaj këtyre thirrjeve, por nuk ka punuar askush që ato të mos përsëriten në mjedisin social publik. Kush e ka ushqyer e mbështetur këtë armiqësi në mjedisin social e institucional të këtij shteti ndaj shqiptarëve, që janë në trojet e tyre etnike prej shekujsh dhe janë shtetformues, që do të thotë se ky shtet nuk mund të ekzistojë e të funksionojë pa bazamentin shqiptaro-maqedonas? Është vërtet tronditëse e domethënëse për realitetin aktual, që nuk ka pasur e nuk ka asnjë qasje ndaj këtij fenomeni e sëmundje të rrezikshme, e ushqyer institucionalisht, që ta frenojë e shërojë, që gërryen bazamentin e ekzistencës së shtetit dhe vret të ardhmen e tij.
Edhe pse kryeministri Gruevski e cilësoi vërtet “incident” ngjarjen e Kumanovës, duke e përjashtuar një konflikt etnik, mënyra se si e pse u stis, u sponsorizua dhe ekzekutua me brutalitet, shkelje të rënda të ligjeve e të drejtave të njeriut, egërsi, dhunë policore, dëmet e mëdha njerëzore e materiale, solli në kujtesë ngjashmërinë me ekspeditat ndëshkuese, kriminale e antishqiptare të Milosheviçit. Para disa ditësh u njoftua se rreth orës 5 të mëngjesit, njësi speciale policore, të shoqëruara nga mjete të rënda, rrethuan lagjen “Dardania”, rrugën “Nikolla Vapcarov”, por që nuk ka asnjë njoftim as paraprak e pas aksionit, nga institucionet përkatëse për këtë veprim, por edhe të fluturimeve në orë të gjata të helikopterëve mbi hapësirën e Kumanovës.

Ngjarja e Kumanovës është një problem domethënës i përmbajtjes së problemit, apo pse jo vetë krizës maqedonase, por jo i vetëm. Shoqëria e shteti maqedonas ka grumbulluar mjaft probleme e sëmundje që kanë goditur rëndë funksionimin e demokracisë e institucioneve të saj, të shtetit juridik e sundimit të ligjit. Nuk ka mundur të plotësojë për një kohë të gjatë e ka ngecur realisht në plotësimin e standarteve të nevojshme për anëtarësimin e saj në BE dhe në NATO. Nuk ka zbatuar plotësisht Marrëveshjen e Ohrit dhe jo vetëm nuk i ka përmirësuar më tej marrëdhëniet ndëretnike, por me qëndrimet e saj, i ka përkeqësuar ato, duke u dhënë shumë hapësirë mentaliteteve armiqësore e raciste ndaj shqiptarëve. Ka bërë hapa prapa në drejtim të lirive e të drejtave të njeriut e mediave, që i janë vënë në dukje sistematikisht nga strukturat e BE. Ka shfaqur probleme të mprehta në lidhje me korrupsionin e krimin e organizuar. Është përballur në vazhdimësi me mjaft probleme ekonomike e sociale. Nuk ka mundur të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. U bë një kohë e gjatë që parlamenti maqedonas nuk ka prezente opozitën, që edhe pse ajo mund të ketë përgjegjësinë e saj, nuk ka asnjë shqetësim nga qeveria maqedonase, që nuk e ndjen nevojën e opozitës e alternativës së saj.

Edhe pse përmbajtja e krizës maqedonase është e qartë tashmë dhe problematika është identifikuar thuajse plotësisht, tërheqin vëmendjen disa qëndrime e vlerësime jashtë Maqedonisë, të cilat me sa duket shprehin synimin për moszgjidhjen e kësaj krize, por për përdorimin e saj për interesa gjeostrategjike. Kështu, në gazetën “Kurir” para disa kohësh edhe pas ngjarjes së Kumanovës u përcoll mendimi se “Nëse SHBA, pas sulmeve terroriste në Kumanovë, vazhdojnë me politikën e mbështetjes së pakufizuar për shqiptarët, si dhe nëse BE vazhdon të heshtë në lidhje me ringjalljen e ‘Shqipërisë së Madhe’, atëherë kjo situatë mund të çojë në luftën e tretë ballkanike”. E drejta e mendimit të lirë nuk mund të mohohet, por kur këto mendime ngrihen mbi të pavërteta, nuk i referohen asnjë fakti, dokumenti apo deklarate konkrete, por mbështetet në sajesa të vjetra dhe ato nga jashtë e larg Shqipërisë e shqiptarëve, madje që tashmë janë të njohura kuzhinat që e kanë gatuar këtë tezë, atëherë, mund të konsiderohen si djegie skenarësh apo synimesh gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor.

Është në të drejtën e Rusisë, por edhe të Kinës e vendeve të tjera të kenë interesa ekonomike e të zhvillojnë bashkëpunimin ekonomik e financiar me vendet e Ballkanit Perëndimor, por askush nuk mund të imponojë në vendimmarrjen e popujve e shteteve sovranë, në definimin e orientimit e të ardhmes së tyre. Megjithatë, një vit më parë, Rusia filloi të tregonte vijat e saj të kuqe, si dëshmi e sferave të supozuara të influencës, duke përcjellë mendimin se përbën një vijë të kuqe, nëse Maqedonia bëhet pjesë e NATO-s. Si mund të shpallen vija të kuqe qëndrime që nuk llogarisin sovranitetin e një shteti dhe vullnetin e popujve për të vendosur për fatet e tyre? Kështu, ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov, në një mbledhje të Këshillit të Federatës Ruse në fund të muajit maj përcolli opsionin e Rusisë për krizën maqedonase. “Ngjarjet në Maqedoni – theksoi ai – janë të kontrolluara nga jashtë. Ata përpiqen të akuzojnë qeverinë e Gruevskit se ajo nuk ka përmbushur detyrimet për popullatën. Këto ngjarje lidhen me refuzimin e Maqedonisë për të mos u bashkuar me sanksionet antiruse, mbështetjen e saj për ‘Rrjedhën e Jugut’ dhe mbështetjen e planeve dhe alternativave të reja për dërgimin e karburantit, përfshi këtu edhe ‘Turkish Stream’. Është shumë trishtuese dhe e rrezikshme, që ata po përpiqen të përdorin faktorin shqiptar për këtë qëllim. Shumë vite më parë ka pasur kontradikta serioze dhe më pas nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001. Tani ata janë duke folur për federalizimin e mëtejshëm të Maqedonisë, madje sugjerojnë ndarjen e vendit, duke i dhënë gjysmën Shqipërisë dhe pjesën tjetër Bullgarisë”.

Reagoi me njëherë ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Daniel Mitov, që e konsideroi të pavërtetë këtë deklaratë. “Bullgaria – theksoi ai – ka mbështetur më shumë se të gjitha vendet e tjera pavarësinë e sovranitetin e Maqedonisë dhe ishte vendi i parë që njohu Republikën e Maqedonisë”. Nisur nga këto deklarata, “Bloomberg View”, përcjell opinionin se Maqedonia po bëhet fushëbetejë e re mes SHBA dhe Rusisë, se ajo është kthyer në një front lufte ideologjike mes tyre.

Në fakt, e vërteta është se shqiptarët kanë qenë shumë konstruktivë në ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë. Sa i takon ngjarjes që çoi në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, ajo u shkaktua nga mostrajtimi i barabartë në të drejta juridike e faktike i shqiptarëve, prandaj dhe u definuan detyra konkrete në atë marrëveshje. Edhe klasa politike shqiptare në këtë shtet ka qenë e orientuar nga stabiliteti, zhvillimi demokratik, ekonomik e social, nga plotësimi i standarteve për anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe shumë konstruktive edhe në gjetjen e një zgjidhjeje me Greqinë për çështjen e emrit. Nëse mund të flitet për përgjegjësi reale për klasën politike shqiptare, atëherë ajo duhet parë sidomos në faktin se nuk ka bërë detyrën e duhur në sigurimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, se kanë dhënë kështu kontribut minimal në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike, duke u pajtuar në një farë mënyre me shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve. Partitë politike shqiptare, të ndara artificialisht në të majta e të djathta, më shumë kanë rendur se cila do të jetë pjesë e qeverisë së radhës së shumicës maqedonase dhe pastaj janë “rehatuar” në të. Madje, ato arritjen e këtij synimi e kanë konsideruar si plotësim të synimit të tyre politik. Nuk ka një luftë politike e parlamentare për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, po më shumë janë bërë akuza edhe në parlament mes deputetëve shqiptarë, shoqëruar në ndonjë rast edhe me përplasje fizike. Nuk kanë reaguar në parlament edhe kur kanë dëgjuar se nuk përgatiten dot materialet e Kuvendit edhe në gjuhën shqipe, sipas Marrëveshjes së Ohrit, se nuk kanë njerëz! Shqiptarët në institucionet shtetërore, në emër të konstruktivitetit e stabilitetit, kanë harruar kështu vendosmërinë e drejtësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e janë pajtuar me situatën e stanjacionin.

Maqedonia nuk ka një problem të thjeshtë, por një kompleks problemesh, madje edhe të akumuluara. Është e nevojshme përgatitja e një programi e strategjie për t’i adresuar drejt zgjidhjet e problemeve, bashkë me kostot e tyre. Ky program nuk mund të bëhet efektiv e shpresëdhënës, nëse nuk vë para përgjegjësisë juridike përgjegjësit e krijimit të kësaj situate, nëse nuk shfaqet vendosmëria për të hapur një faqe të re, nëse nuk sigurohet një pjesëmarrje aktive e shqiptarëve dhe maqedonasve bashkë, nëse nuk programohet një shpëlarje e thellë nga mentalitetet shovene e raciste antishqiptare dhe nëse i gjithë programi mban parasysh faktin esencial se, pa bazamentin dhe bashkëpunimin, në standarde të barabarta, mes shqiptarëve e maqedonasve, nuk ka as ekzistencë, as funksionim normal social, politik e juridik e as të ardhme të këtij shteti.

Vërtet ky program kërkon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, sidomos të BE, pa të cilin nuk ka zgjidhje të krizës, por edhe pa tërheqjen e mendimit e opinioneve të të gjithë popullit, për problemet, sfidat, përgjegjësitë dhe definimin e shinave kryesore të së ardhmes së përbashkët mes shqiptarëve e maqedonasve, nuk mund të shkohet asnjë hap përpara. Nuk mund të sajohet diku kjo strategji e të ofrohet për zgjidhje, por as nuk mund të ecet me zgjidhje të pjesshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb