Ish-ministri i jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar përmes një postimi në facebook, lidhur me zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, si edhe faktorin shqiptar në këtë proces.

“Mbështetja e Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për Presidentin e Zgjedhur Stevo Pendarovski është një mbështetje e qartë për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, stabilitetin demokratik dhe shoqërinë multietnike. Që prej platformës të bashkëpunimit të partive politike shqiptare, të Janarit 2017, roli i shqiptarëve si komunitet shtet-formues është në rritje. Për herë të parë Kryetari i Kuvendit është Shqiptar. Përdorimi i simboleve dhe gjuhës shqipe po avancon në të gjitha nivelet, ndonëse ende e panjohur në menyrë eksplicite në Kushtetutë.” – shkruan Bushati ndërsa shton se ky kurs duhet thelluar si e vetmja rrugë për ndërtimin e një shoqërie europiane ku dy komunitetet kryesore shtet-formuese punojnë së bashku.

“Shqiptarët dëshmuan edhe një herë se janë një forcë lëvizëse e kursit Euro-Atlantik të Maqedonisë së Veriut! Urime!” përfundon Bushati statusin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb