Drejtoresha e News24 Anila Jole, ishte sot e ftuar në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ku pas një analize të procesit eletoral falënderoi të gjithë gazetarët, operatorët, teknikët dhe gjithë stafin e News24 që përballuan me sukses dy ngjarje madhore, zgjedhjet e përgjithshme dhe Samitin e Komunitetit Evropian që u zhvillua në Tiranë.

Jole e quan News24 “shtëpia jonë”, ku çdokush që punon jep më të mirën, me qëllimin për të qenë ashtu siç ka qenë përherë ky televizon, më i besueshmi dhe lider i informacionit.

“Është vërtet një sfidë shumë e madhe dhe e përditshme puna në televizion, veçanërisht kur ka ngjarje të përmasave të mëdha si zgjedhjet. Në Shqipëri proceset zgjedhore  janë të vështira e të lodhshme për gazetarët dhe redaksinë, për nga mënyra si zhvillohen dhe sa zgjasin, por ne i kemi përballuar gjithmonë me sukses.

Nuk është hera e parë që News24 i  mbulon zgjedhjet në mënyrë perfekte, por këto të fundit për mua ishin më të bukurat për faktin se isha vetë në krye të punës, drejtova dhe u shqetësova  për çdo gjë. Mora edhe stresin dhe kënaqësinë e bashkepunimit dhe të rezultatit njëherësh.

Pa një bashkëpunim siç ka në News24, asgjë nuk mund të ketë sukses. Komunikova me gazetarët në fund për t’i falenderuar dhe njëri prej tyre më thotë: “Ne tani u plakëm në News24, kjo është shtëpia jonë. Ne bëjmë të pamundurën për të”! Dhe është e vërtetë shumë nga ne kanë vite të jetës që kanë investuar këtu. Nuk punojnë vetëm sepse paguhen, por sepse e duan profesionin, duan të nderojnë veten dhe televizionin që në fakt është imazhi i gjithësecilit prej nesh.

Të punosh është diçka, por të japësh shpirtin në punë si shumica bëjnë, e bën të shkëlqejë gjithmonë këtë televizion.

Të gjithë kanë shkëlqyer në punë dhe për këtë i falënderoj. Bënë një punë të jashtëzakonshme dhe e ngritën News24 edhe një shkallë më lart dhe konfirmuan pse ky televizion është lider i informacionit dhe i besueshëm me të vërtetën e madhe.

Transmetimet e drejtpërdrejta, sidomos ato që zgjasin me ditë e netë, natyrisht që mund të sjellin probleme, ato nuk mund t’i parashikojë askush, por të gjitha departamentet bënë shumë mirë punën dhe nuk patëm asnjë problem.

Ne jemi të gjithë profesionistë dhe të thjeshtë, të përulur para publikut, ndaj jemi të besueshëm dhe të dashur për të. Ky është parimi ynë. Falenderoj  gazetarët për gjithçka!”– u shpreh Jole.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb