*Statistikat spitalore: Nga helmet e kompanisë turke humbën jetën mbi 3 mijë persona
TIRANE
-Këto ditë një lajm surprizë (por jo edhe aq ka befasuar opinionin publik në Elbasan, institucionet vendore dhe shoqatat mjedisore. Kompania e njohur turke në Shqipëri “Kurum” ka kërkuar shpalljen e falimentimit në Gjykatën e Tiranës (?) Burime të besueshme nga ish­ punonjësit shqiptarë të kësaj kompanie thanë se “po është e vërtetë, pasi në 26 shkurt 2016 përfaqësuesi ligjor i kompanisë turke “Kurum International sh.a”, kanë paraqitur padinë për të deklaruar falimentimin e saj, ndërkohë që me falimentimin, kërkohet riorganizimi i shoqërisë “Kurum” International”, caktimi administratorit të përkohshëm të falimentimit dhe marrjen e vendimit për vetadministrim nga debitorët”. Gjithashtu mësohet se kjo padi, është bërë për shkak të mos shlyerjes së kredive miliona euro që kompania ka marrë në vite”. Të njëjtat burime thanë se “kjo padi, do të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës e cila ka parashikuar datën 16 mars ora 12.00 për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore”.

Duket si një skenar i parashikuar deri në detaje “falimentimi” i “Kurum”, kur dihet se deri para pak javësh kjo kompani e “njohur” ka mbyllur llogaritë me 3­4 televizione kombetare, por dhe lokale në Elbasan për reklama mujore, duke paguar miliona lekë.

Helmimi i banorëve të Elbasanit
Falimenti i “Kurum” duhet të kishte një tjetër arsye, veç kredive të pashlyera bankare, atë të helmimit të mijëra banorëve të Elbasanit, helmimit të qindra hektarëve tokë në Bradashesh, Papër, Shijon, Kusarth, Fushë­-Mbret dhe lagjet periferike të Elbasanit, sëmundjeve kronike dhe vdekjeve të afro 3 mijë personave në vitet e fundit dhe kjo sipas statistikave spitalore.

Falimenti i “Kurum”, duhej të kishte ardhur prek kohësh nga protesta e qytetarëve të Elbasanit, duhej të kishte ardhur nga vendosmëria e institucioneve të shtetit, duhej të kishte ardhur nga zbatueshmëria e ligjeve nga qeveritë e 20 viteve të fundit në Shqipëri. Falimentimi i “Kurum”, veç faktit të mbetjes pa punë të afro 400 punëtorëve shqiptarë (pasi ishin edhe nja 250 turq) është një lajm i mirë për Elbasanin, për 250 mijë banorët e këtij qyteti, për dhjetra fshatrat e asaj zone të cilat prej vitesh nuk shisnin asnjë litër qumësht, pasi konsumatorët kishin frikën e ndotjeve, për fermerët dhe blegtorët, për bizneset e tjera që operojnë pranë tyre në zonën e ish­Kombinatit Metalurgjik.

Dëmshpërblimi i familjeve
Por falimenti i “Kurum” duhet të mos ndahet edhe nga kërkesa e mijëra qytetarëve të Elbasanit për të dëmshpërblyer familjet e atyre që u sëmurën dhe humbën jetën spitaleve pasi u kishte hyrë në gjak helmi i furrave të asaj kompanie. Qytetarët e Elbasanit, shoqatat e Mjedisit dhe intelektualët e këtij qyteti, kërkojnë nga Ministria e Mjedisit, nga Gjykata e Tiranës, që në datën 16 mars 2016, të merret në konsideratë edhe kërkesa e tyre për të dëmshpërblyer çdo familje që ka humbur të afërmin e tyre nga helmet e “Kurum”, bazuar në kartelat spitalore, të merret parasysh kërkesa e mijëra banorëve të fshatrave rreth asaj zone për të shpaguar çdo shpenzim që kjo kompani u ka shkaktuar lidhur me dëmet në bujqësi dhe blegtori. Qytetarët e Elbasanit kërkojnë nga institucionet vendore, nga Bashkia, Qarku dhe Prefektura, të mbështetin kërkesën e tyre. Qytetarët e Elbasanit kërkojnë nga shërbimi spitalor t’i vihen në dispozicion Gjykatës së Tiranës të gjitha kartelat mjekësore të personave që kanë patur si shkak të sëmundjeve dhe humbjes së jetës, pikërisht helmet e “Kurum”. Ka ardhur koha të vendoset ligji për çdo kompani që vjen në këtë vend, për të fituar milionat mbi krahët e rraskapitur të shqiptarëve, dhe pastaj të shpallë “falimentin” sikur nuk ka ekzistuar kurrë. “Kurum” nënshtron qeverinë Kompania turke “Kurum” që privatizoi katër HEC­-et ka mundur t’i imponojë qeverisë shqiptare rimbursimin e 3 miliardë lekëve TVSh të prapambetur. Në kushtet e mungesës së parave në arkë për shkak të mungesës në realizimin e të ardhurave dhe gropës së shkaktuar në buxhet, qeveria shqiptare është dorëzuar. Paratë e privatizimit të 4 hidrocentraleve pritet të arkëtohen brenda kësaj jave dhe marrëveshja është arritur pas dy javë negociatave mes Qeverisë shqiptare dhe kompanisë turke “Kurum”.

Burime nga Ministria e Ekonomisë, bëjnë të ditur se, është lidhur marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe “Kurum” për mënyrën se si do të rimbursohet Tatimi i Vlerës së Shtuar të akumuluar në vite nga administrata tatimore.

KURUM, shteti brenda shtetit dhe i pandeshkuar nga asnje institucion
Dje në mesditë një gjë e jashtëzakonshme ka ndodhur në Elbasan. Shiu që ka nisur rreth orës 12.50 dhe ka zgjatur për afro 20 minuta, e ka ngjyrosur qytetin me të kuqe. Rrugët, trotuaret, makinat, dyqanet, pemët dhe gjithçka tjetër janë ngjyrosur me të kuqe.

Interesimit të se perditshmes “Telegraf” lidhur me problemin, një burim nga ARM ju përgjigj se “e dimë, e njohim, mund të jetë edhe KURUM­i shkaktari, do hetojmë, do punojmë, do ndëshkojmë cilindo që rezulton se e ka bërë”.

Përgjigje më antizyrtare, antinjerëzore, antiligjore dhe antimjedisore, nuk ka se si të jepet nga njerëz inkompetentë, të paaftë dhe të blerë. Elbasani faktikisht ka vite që vuan nga ndotja e madhe dhe e rrezikshme e KURUM.

Shkurt nuk kanë frikë nga ligjet e këtij vendi. Dje Elbasani ngjante me qytetet kineze, të cilat kanë ndotje alarmante dhe që shpesh rrugët dhe banesat e tyre mbulohen me të kuqe nga nxjerrja në atmosferë e kimikateve, helmeve dhe llojeve të tjera të smogut, që dëmton seriozisht jetën e njerëzve dhe gjallesave të tjera. Elbasani ka përjetuar realitetin e frikshëm të cilin e përjetojnë çdo ditë qytetet qindra milionëshe në Kinë, dhe kjo për fajin e një grushti inspektorësh të paaftë të Agjensisë Mjedisit, të cilët kanë rënë prej kohësh në kurthin e presioneve dhe aferave korruptive. Si guxon dhe krijon një ndotje të tillë, një kompani e huaj, në një qytet me mbi 250 mijë banorë, duke mos marrë asnjë gjobë, asnjë ndëshkim ligjor, asnjë penalitet, madje duke u favorizuar edhe nga dikasteret qeverisëse?!

Pamjet tronditëse në qytet
Qytetarët e Elbasanit, poseduesit e makinave, zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve të shtetit, kanë qenë dëshmitarë të një pamje tronditëse dhe kanë shprehur indinjatën e tyre lidhur me situatën e rënduar mjedisore e cila po dëmton jetën, bimët dhe kafshët e gjalla. Përgjatë bulevardit “Aqif Pasha” dhe akseve të tjera rrugore në çdo lagje, përgjatë aksit rrugor Elbasan-­Metalurgji­-Bradashesh, makinat ngjanin me gjallesa të kuqe, të mbuluara të gjitha me shtresën e dheut të kuq. Një skandal që duhet të kryqëzojë mbrapa hekurave çdo zyrtar të shtetit, apo dhe inspektor mjedisi në Elbasan, për të zhdëmtuar moralisht dhe materialisht qytetarët dhe gjithçka tjetër në gjithë këto vite. Në çdo qytet tjetër të Europës, një kompani e tillë, e papërgjegjshme do të ishte gjobitur, larguar, penalizuar, dhe dënuar ashpër sipas të gjitha ligjeve të çdo vendi demokratik.
Heshtja e Ministrisë së Mjedisit

Si mundet një kompani e tillë që pretendon se e ka një emër në fushën e prodhimit të çeliqeve, të krijojë ndotje alarmante në një qytet të banueshëm, dhe të mos pësojë asnjë penalitet, si mundet të mos instalojë sistemin e filtrave kur e ka detyrim ligjor? Përgjigja natyrisht mbetet e thjeshtë, ka blerë çdo zyrtar dhe çdo “rrebel” që tenton të frenojë dhe publikojë ndotjen, që tenton të publikojë shifrat alarmante të saj, duke krijuar artificialisht një situatë normaliteti, që vret çdo ditë qytetin dhe njerëzit e tij.

Ministria e Mjedisit, deri sot nuk është ulur asnjëherë seriozisht për të monitoruar ndotjen në Elbasan, për të ndaluar dorën vrastare të një prodhuesi çeliku, që mbledh mbeturina dhe hekurishte dhe e ka kthyer territorin e ishMetalurgjikut në vend­grumbullimin e rrezikshëm, nga ku shkrin dhe ndot me smogun e pistë gjithë zonën. Ministria e Mjedisit duhet të ndalet urgjentisht në situatën e krijuar në Elbasan, duhet t’i thotë ndal këtij përbindëshi, që ka ndotur dhe po ngjyros me të kuqe qytetin e luleve, qytetin e ballakumeve, qytetin e njerëzve bujarë dhe të mençur, që duan të jetojnë të qetë me fëmijët dhe jo të ngrysen dhe të gdhihen me frikën se gjithçka hanë, gjithçka thithin, gjithçka prekin, është ndotur nga helmet dhe pluhuri i kuq i KURUM.

(d.b/GazetaTelegraf/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: