Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin “Kritikal”, duke arrestuar dy persona dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike.

Në pranga ka rënë trafikanti E. B. dhe bashkëpunëtori i tij, F. C., si dhe janë sekuestruar 77 pako me lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg, 3600 euro, 2 automjete dhe 6 aparate celularë.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të disponuara për një shtetas që po lëvizte në drejtim të Durrësit, me sende të kundërligjshme në mjet, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Kritikal”, në kuadër të tëcilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

E. B., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, mjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në bagazhin e këtij mjeti u konstatuan 77 pako me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.

Gjithashtu, në momentin e kapjes në flagrancë të shtetasit E. B., shërbimet kanë ndjekur dhe kanë ndaluar mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. C., i cili gjatë hetimeve ka rezultuar se ka bashkëpunuar me shtetasin E. B., duke e informuar atë për prezencën e shërbimeve të Policisë në rrugë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë edhe shtetasi F. C., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike të kapur nuk është prodhuar në Shqipëri, por është trafikuar nga një vend tjetër.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb