Nga: FATMIRA NIKOLLI*
E quante “Miss Albania” dhe vinte me të çdo vit për disa muaj në Shqipëri. Automobili që mbante këtë mbishkrim ishte një prodhim jashtë serie i fabrikës “Panhard”, me të cilin Leon Rey përshkonte rrugën e gjatë nga Parisi deri në Apoloni.
Por, interesi i tij për Shqipërinë lindi në vitin 1920 pas takimit me senatorin Justin Godart. Të dy së bashku organizojnë më 1923 të parën vizitë në Tiranë, ku nënshkruhet konventa arkeologjike midis Shqipërisë dhe Francës. Po në këtë vit misioni i drejtuar nga Rey fillon kërkimet në Durrës, por shpejt përballet me vështirësitë e gërmimit në zona të banuara.
Dje, në kuadër të 90-vjetorit të fillimit të gërmimeve franceze në Apoloni dhe 60-vjetorit të vdekjes, Leon Rey është përkujtuar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori i Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, Marin Haxhimihali, vjen në një intervistë, ku rrëfen detaje nga lidhja e Reyt me Shqipërinë.
“Më 1924 misioni arkeologjik francez fillon në Apoloni gërmimet, që vazhduan pa ndërprerje deri në prag të pushtimit të vendit nga Italia. Rezultatet pasqyrohen në 6 numra të revistës “Albania”, që botohet në Paris me nismën e Rey-t, ku më 1930 ai boton edhe “Le guide de l’Albanie”. Më 1933 ndërtohet shtëpia e misionit mbi kodrën më të lartë të Apolonisë në kuotën 104 mbi rrënojat e një tempulli antik”,-thotë Haxhimihali. Ai vëren se me këto gjetje, nga gërmimet e Apolonisë u krijua muzeu arkeologjik, që u përurua në Vlorë me rastin e ditëlindjes së Mbretit Zog I, më 8 tetor 1936. Pas luftës, përpjekjet e Leon Rey-t për të vazhduar veprimtarinë kërkimore nuk u mbështeten nga qeveria shqiptare. Në vitin 1945 rizbuluesi i Apolonisë nuk lejohet të zbresë nga avioni i ulur në Rinas dhe kthehet mbrapsht në Francë, ku vdes më 1954. Pas vdekjes bëhet qytetar nderi i Fierit, ku që prej vitit 1964 një rrugë mban emrin e tij. Kujtimi i tij është gjithmonë i pranishëm në Apoloni, ku më 1996 përurohet Shtëpia e Arkeologëve “Leon Rey”, kurse në 2004 vendoset pllaka përkujtimore në vendin ku gjendej shtëpia e tij.
“Krejt natyrshëm, pa asnjë prapavijë ideologjike, fetare apo gjeopolitike, Franca është bërë partnerja kryesore e arkeologjisë shqiptare. Ky sukses aspak i rastësishëm u dedikohet dy arkeologëve të shquar, Leon Rey dhe Pierre Cabanes. Falë humanizmit të tyre të jashtëzakonshëm, ata ia dolën të sfidojnë me një gjysmë shekulli interval, vështirësitë e terrenit në vendin më të varfër të Europës së dominuar përkatësisht nga fashizmi dhe komunizmi”, shprehet drejtori i Parkut Kombëtar të Apolonisë.
Z. Haxhimihali, si i filloi gërmimet ne Shqipëri Leon Rey?
Ishte fillimi i viteve ’30, kur me nxitjen e senatorit dhe kryebashkiakut të Lionit Justin Godart, arkeologu Leon Rey fillon hulumtimet në territorin shqiptar. Pas një përpjekjeje të suksesshme diplomatike të Godart, Franca arriti nënshkrimin e një konvente që mundësonte kërkimet arkeologjike në territorin e Shqipërisë nga Puka deri në Apoloni, për një afat prej 30 vitesh.
Sipas kronikave të kohës, marrëveshja u arrit jo pa vështirësi, si për shkak të interesave italiane për jugun e Shqipërisë (një vit më vonë Ugolinit do t’i njihej e drejta për gërmime në Butrint dhe Finiq) ashtu edhe për shkak të preferencave austriake të ministrit të Kulturës së kohës, Rexhep Mitrovica. Kërkimet e para franceze u bënë në Durrës, por shpejt vështirësitë e gërmimit në kontekstin urban do ta nxisnin Rey-n të zhvendosej drejt Apolonisë, ku një qytet asokohe “madhështor e hijerëndë” ishte mbuluar tërësisht nga harresa e shekujve dhe bimësia. Në kushte tejet të vështira, pa energji elektrike, duke fjetur në çadra, ku furnizimi me ujë e ushqime bëhej vetëm me karvane me mushka, Leon Rey arriti që për një kohë të shkurtër t’i rikthejë Apolonisë lavdinë e dikurshme. Përtej zbulimit të shëtitores, bibliotekës, odeonit e shumë objekteve të tjera arkeologjike, Rey u bë një mik i afërt për shqiptarët. Në vitin 1926 ai fillon botimin e rezultateve të gërmimeve në revistën “Albania”, kurse në 1930 boton të parën guidë turistike të Shqipërisë në frëngjisht. Studimet shumëvjeçare në këtë vend e shndërruan Leon Rey-in në një referencë të vërtetë shkencore në fushat e historisë dhe arkeologjisë europiane.
Arkeologët e huaj të ardhur në Shqipëri janë përfolur për përvetësim të objekteve të gjetura, po në rastin e Reyt, çka ndodhur?
Në ndryshim nga të gjithë të huajt që kishin kaluar deri asokohe në viset shqiptare, Leon Rey jo vetëm që nuk përvetësoi asnjë nga objektet e gjetura, por në mjaft raste ai u paguante para privatëve në shkëmbim të objekteve arkeologjike, të cilat vendoseshin pastaj në koleksionet publike. Puna këmbëngulëse në terren për vite me radhë solli edhe rezultate spektakolare, por Rey nuk ishte i kënaqur me fatin që i priste objektet e zbuluar nga puna e misionit francez. Vendi që u rezervohej gjetjeve arkeologjike të nxjerra nga nëntoka e Apolonisë, një sallë e errët e Bashkisë së Fierit jashtë parametrave të ruajtjes e shtynte Rey-n të ngulte këmbë pranë autoriteteve qendrore të Tiranës për hapjen e një muzeu të denjë për antikat apoloniate. Vizioni thuajse profetik i Rey-t për ruajtjen dhe nxjerrjen në pah të trashëgimisë arkeologjike të lë gojëhapur edhe sot, kur kanë kaluar mbi tetë dekada. Në ditarin e tij, publikuar së fundit prej të birit Jean-Gabriel Rey dhe publicistit Luan Rama gjejmë këto shënime: “I riu shqiptar i kthyer nga studimet jashtë do të gjejë në vendin e tij një Muze të Antikiteteve shqiptare që do ta shohë veçse në Tiranë, do të shohë një Bibliotekë Kombëtare, ku mund të lexojë vepra mbi historinë e vendit të tij dhe gjithnjë e më shumë tërë veprat e shkruara çdo vit mbi Shqipërinë. Letërsia në gjuhën shqipe do të bëhet e njohur në Europë dhe autorët do të përkthehen në gjuhët e mëdha të qytetërimit… Nga Londra dhe Parisi, agjencitë turistike do të dërgojnë turistë amerikanë, të cilët do ta gjejnë këtë kënd të kontinentit mjaft piktoresk, të hijshëm dhe pa barbarizëm. Do të jenë fillimet e një rindërtimi e pastrimi të madh, ndërtime dhe pastrimi i plehrave, kërkimet arkeologjike të italianëve, gërmimet e francezëve, Liceu i Korçës, përpjekjet e shumta, devocioni i shqiptarëve që kanë studiuar jashtë, përpjekjet e ministrave të ndërgjegjshëm, si dhe përpjekjet e vetë mbretit Zog do ta ndryshojnë këtë vend”.
Ai ka folur edhe për muzeun që u hap më vonë. Si e përshkruan ai?
Në fakt, pas shumë përpjekjesh, pikërisht në ditën e lindjes së mbretit të shqiptarëve, më 8 tetor 1936, me nxitjen e Leon Rey-t u hap i pari muze arkeologjik e historik në skelën e Vlorës. Simbolika e këtij akti nuk kishte si të ishte më e fortë, kur dihet se muzeu u hap në shtëpinë e njohur si “Shtëpia e Pavarësisë” pikërisht aty ku e pati selinë edhe qeveria e Ismail Qemalit. Në arkivin personal të L. Rey-t që administrohet në mënyrë të admirueshme nga i biri Jean-Gabriel gjenden përshkrime të hollësishme mbi organizimin e muzeut. Ai hapej me një shënim të Tukididit mbi Apoloninë. Salla e parë ishte një holl si në të gjitha muzeumet e tjera ku tregtoheshin karta-postale dhe fotografi të ndryshme. Në sallën e dytë, në vitrinat A dhe B Rey vendosi koleksionin e plotë të vazove korintase zbuluar në nekropolin e Kryegjatës. Në vitrinën C ishin objektet e bronzit mes të cilave spikaste pasqyra e shek. VI para Kr., statuja e Afërditës në miniaturë me flokët e lëshuara e të krehura si dhe koleksioni i monedhave. Në sallën e tretë, në vitrinën A u vendosën kandilat e qeramikës ku mbaheshin parfumet dhe vajrat e çmuara të grave të gjetura pranë Odeonit. Në vitrinën B ishin koleksionet e vazove të zeza athinase dhe vazot me figura të kuqe, ndër të cilat spikaste hidria që paraqet efebin në këmbë duke biseduar me një grua. Në sallën C u vendosën qeramika, relievet dhe skulpturat etj. Në ditën e hapjes, pas dëgjimit të himnit të flamurit, fjalën e mori Leon Rey, i cili theksoi: “Është thellësisht ngushëlluese të shohësh vendin tuaj të afirmojë respektin për të kaluarën dhe të shpëtojë thesaret e trashëgimisë së saj artistike. Ju e keni kuptuar se forcat e nacionalizmit, këto forca shpirtërore që ndoshta do ta shpëtojnë botën nga barbaria, na vijnë pjesërisht dhe nga të parët tuaj me të cilët kërkoni të keni lidhje e t’i doni. Ju keni dashur kështu të ndiqni rrjedhën e traditave tuaja shekullore dhe të kërkoni në burimet e origjinës tuaj me bindjen se, ditën kur errësirat që enden akoma mbi disa pika të historisë suaj, më në fund do të shpërndahen dhe ju atëherë do të ndjeheni shumë më të fortë dhe me besim tek e ardhmja. Dhe kjo është kaq e vërtetë, sa në mënyrë simbolike ju keni zgjedhur për këtë muze një shtëpi historike që lidhet me emrin e patriotit të madh Ismail Qemal Vlora. Ky muze është një muze i denjë, sepse çatia e tij mbulon atë çka është më e bukur në këtë botë: dashurinë për artin dhe kultin e atdheut…”.
Por, çatia e brishtë e ndërtesës nuk u rezistoi dot bombave të fillimit të Luftës së Dytë Botërore….
Muzeu i parë arkeologjik në historinë e shtetit shqiptar u bë edhe më jetëshkurtri. Më 25 prill 1939 L. Rey i shkruan me trishtim e indinjatë një letër kryetarit të Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letrave të Bukura në Paris: “Kam nderin t’u njoftoj se bombardimi i trupave italiane ka shkatërruar pjesërisht muzeun e Vlorës. Çatia është shembur. Si pasojë, vitrinat e sallave të katit të parë, të cilat mbanin koleksionet e vazove, figurinave, monedhave dhe objektet prej xhami janë shqyer e vjedhur. Të gjitha arkivat janë shkatërruar sistematikisht. Muzeu arkeologjik i Vlorës, pronë e shtetit shqiptar, mbante veçse antikitetet e zbuluara nga Misioni Francez me rreth 1000 objekte… Asnjë arsye strategjike nuk mund ta justifikojë bombardimin e kësaj ndërtese, që gjendej e veçuar nga ndërtesat e portit dhe që oficerët e marinës italiane të bazës së Sazanit e njihnin atë vend në mënyrë perfekte…”.
Cilat qenë arsyet që ai i “shkëputi” marrëdhëniet me Shqipërinë?
Pavarësisht se që nga viti 1939 L. Rey nuk u lejua më të vazhdonte kërkimet në Apoloni, ai i ruajti kontaktet me Shqipërinë. Një përpjekje e dëshpëruar për të rivendosur marrëdhëniet e dikurshme u ndërpre brutalisht nga autoritetet komuniste të pasluftës. Në vitin 1945 avioni që solli Rey-n u ul në fushën e aviacionit të Tiranës, por arkeologu nuk u lejua të zbresë prej tij. Ky episod i trishtë do të shënonte edhe ndërprerjen e kontakteve midis arkeologëve shqiptarë dhe atyre francezë. Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Moskën, Tirana do të lejonte disa udhëtime historianësh e arkeologësh francezë në Shqipëri, por për të parë ardhjen e një ekipi të vërtetë arkeologësh në terren do të duhej të pritej rreth gjysmë shekulli. Fati e deshi që pikërisht në Apoloninë e Ilirisë të zbarkonte sërish një mision francez i udhëhequr kësaj radhe nga profesori i epigrafisë Pierre Cabanes. Këtij personazhi, sot 82-vjeçar, arkeologjia
shqiptare i detyrohet shumë. Njësoj si Leon Rey një gjysmë shekulli më parë, Cabanes ju përkushtua me të njëjtin devocion e dashamirësi bashkëpunimit shqiptaro- francez në fushën e arkeologjisë. Përpjekjeve të Pierre Cabanes i dedikohet edhe dalja nga izolimi politik totalitar arkeologjisë shqiptare qysh prej mesit të viteve ’80. Organizimi i kolokuiumeve ndërkombëtare me pjesëmarrjen e dhjetëra arkeologëve shqiptarë, futja sistematike e programit të bursave franceze për arkeologjinë shqiptare të disa niveleve, botimet shkencore apo dërgimi i qindra turistëve francezë
në sitet arkeologjike të Shqipërisë janë vetëm disa nga fushat ku kontributi i Pierre Cabanes është i padiskutueshëm. Falë kësaj strategjie është bërë e mundur që sot me 5 kantiere të përhershme arkeologjike në terren Franca ka vendosur një rekord origjinal në Shqipëri. Apolonia, Bylisi, Sovjani në fushën e Korçës, Lezha dhe Kalaja e Komanit,
ku vazhdojnë projektet arkeologjike shqiptaro-franceze bëjnë që Shqipëria të jetë vendi më i financuar nga Franca në të
gjithë botën për frymë të popullsisë në fushën e arkeologjisë. Asnjë prapavijë ideologjike, fetare apo gjeopolitike nuk do
ta justifikonte dot këtë realitet. Është një bashkëpunim që mbështetet thjesht në interesin shkencor reciprok, simpatinë e
ndërsjelltë dhe në humanizmin e jashtëzakonshëm të dy korifenjve të marrëdhënieve Francë-Shqipëri në fushën e arkeologjisë, Leon Rey dhe Pierre Cabanes.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb