FIER- Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga shpërthimi i pusit të naftës në Marinzë, banorët fshati vijojnë të marrin ndihmën mjekësore në ambulancën e fshatit.

Pacientët të cilët shfaqin simptomat e intoksikimit vizitohen nga personeli mjekësor, marrin serumet dhe më pas drejtohen në banesat e tyre. Sipas informacioneve, ditën e sotme kanë marrë ndihmë mjekësore 6 pacientë midis tyre 4 nxënës.

Grupi i xhirimit të Neës24 ka tentuar të marrë një prononcim nga personeli mjekësor i kësaj ambulance por ata nuk kanë pranuar të japin asnjë informacion lidhur me numrin e vizitave.

Jashtë kamerave ata shprehen se kanë marrë urdhër nga lart që të mos flasin pëer mediat.

Problemet shëndetësore tek banorët për shkak të intoksikimit, sipas bluzave të bardha të kësaj qendre shëndetësore vijnë nga gazi metan dhe jo karboni.

Era e rëndë, e cila vijon të jete e pranishme çdo ditë ndihet edhe në shkollën 9-vjeçare “Naun Doko” në fshatin Marinzë ku mësojnë 236 nxënës përfshirë këtu edhe kopshtet e këtij fshati. Drejtoresha e kësaj shkolle Nevila Naka shprehet se era e rëndë e gazit është e pranishme në ambientet e brendshme të shkollës, ndërkohë që shumë nxënës të cilët janë me banim pranë zonës së shpërthimit dhe të ndotjes kanë marrë ndihmë mjekësore duke lënë edhe mësimin

Pas ngjarjes së shpërthimit të pusit në Marinzë edhe Drejtoria e Shëndetit Publik ka marrë masat me personelin e saj dhe së shpejti do të nisë punën për dezinfektimin e zonave më të ndotura për minimizimin e çlirimit të gazit ku sipas naftëtarëve të vjetër të Marinzës është shumë i rëndë dhe ka në përbërje të tij gaz metan.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: