Evakuimi i luftëtarëve ukrainas nga bastioni i tyre i fundit në Mariupol ka të ngjarë të shënojë fundin e betejës vdekjeprurëse disamujore për qytetin.

Mbrojtja e trupave të fabrikës së çelikut Azovstal me shumë pak ushqim dhe ujë, dhe nën bombardimet intensive ruse, u bë një simbol i rezistencës ukrainase. Thuhej se qindra njerëz kishin nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, dhe fotot nga brenda uzinës tregonin burra me krahë të thyer dhe gjymtyrë të amputuara. Të afërmit e tyre bënë lutje të dëshpëruara për një marrëveshje për t’i shpëtuar.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se 53 luftëtarë të plagosur ishin dërguar në një spital në qytetin e kontrolluar nga Rusia, Novoazovsk, ndërsa 211 persona të tjerë ishin transportuar në Olenivka, një qytet i kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Të gjithë të evakuuarit, tha ajo, do t’i nënshtroheshin një “procedure shkëmbimi”.

Por detajet e asaj që është rënë dakord mbeten të paqarta. Spekulimet janë se luftëtarët e evakuuar do të shkëmbehen me robër lufte rusë, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Qindra luftëtarë mbeten në uzinë, dhe gjithashtu nuk është e qartë se kur dhe si do të evakuohen.

Sa i përket Mariupolit, shumica e tij tani shtrihet në gërmadha. Zyrtarët lokalë thonë se dhjetëra mijëra janë vrarë, me shumë prej trupave të tyre ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb