Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Prej 25 vitesh, ne jemi në pritje se ku do të jetë teatri i ri. Nuk është hera e parë që diskutohet për këtë çështje. Që të ngrihet një teatër i ri, është gjëja më minimale për një kryeqytet”. Aktorja Marjeta Ljarja vjen në “Gazeta Shqiptare” me një prononcim për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar, dhe ndërsa jep mendimin e saj se ç’duhet bërë me të, kujton se si nisën bisedimet e projektet e hershme për një teatër që shteti shqiptar do të ndërtonte në kryeqytet, 5 dekada pas çlirimit.
“U diskutua ndërtimi i një teatri që në vitin 1989. Ka qenë në atë kohë kur gjithçka studiohej mirë e mirë, e në shërbim të të gjithë qytetit tonë. Pavarësisht nga dobësitë e shumta të sistemit, projekti ishte që Teatri Kombëtar të ishte aty ku kryqëzohet ‘Rruga e Kavajës’ me ‘Rrugën e Durrësit’. Sot, është ende sheshi bosh. Ka vetëm disa lodra për fëmijë”,- shprehet aktorja, duke sjellë ndërmend edhe një propozim të mundshëm për vendin ku mund të ngrihet teatri i ri i shqiptarëve.
Asokohe, pra 25 vite më parë, Ljarja tregon se komuniteti artistik e kish mirëpritur idenë. “Ne atëherë ishim të lumtur që do të kishim më në fund një teatër të ri, me të gjithë komponentët e nevojshëm. Ka qenë një projekt fantastik me të gjithë elementët që duheshin”, shton ajo. Pyetjes, pra nëse në atë kohë projekti ishte gati, ajo i përgjigjet: “Po, ishte bërë natyrisht. Ishte gjithçka gati dhe e studiuar. Por, kjo nuk ka shumë rëndësi. Ndodhi, që ndërroi sistemi dhe gjithçka u la aty”. Megjithëse, pluralizmi nuk kish trokitur ende, artistët nuk patën dyshime se do të kishin një teatër dhe se ky do të kishte gjithë ç’i duhej. “Atëherë dihej që çdo gjë që bëhej, bëhej siç duhej, sepse i kemi shembujt duke qenë se e shohim si është Pallati i Kongreseve, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, apo Piramida. Pra, ka shembuj se si punohej, edhe pse sistemi kishte dobësitë e veta, kur ngrinte institucione, i ngrinte siç duheshin bërë”, shënon Marjeta Ljarja.
Me ndërrimin e sistemit, nga njëpartiak në disapartiak, pluralizmi, teksa rrekej të gjente lirinë që se ka cekur ende si duhet, filloi edhe të shënonte bjerrjen e vlerave. Ndërsa rrëzoheshin shtatoret, shkatërroheshin gjithë ç’ishin trashëguar nga monizmi(anipse mund të na hynin prapë në punë), shqiptari i ri, ai i pas 90-ës, i sulur pas shembjeve, nuk u kujtua deri vonë, se i duhej edhe të ndërtonte, më së paku, një teatër. Vitet kaluan, partitë e pushtetet ndërruan, në poste të larta u ngjitën madje edhe artistë, por as ata, e as të bijtë e politikës, nuk i kthyen sytë nga arti, as teatri.
Sot, kur Tirana zien për pushet, shtrydhet e ndrydhet, për një teatër, për një të vetëm, kryeqyteti grek, ka mbi 50 të tillë. “Unë po sjell vetëm një shembull. Greqia ka mbi 50 godina brenda Athinës dhe kur flas për godina, nënkuptoj godina të mirëfillta teatri. Me godina të vogla shkojnë mbase deri tek 100 të tilla, por po flas për të mëdha. Kurse ne, nuk jemi ende tek një godinë teatri, sepse edhe ajo që është, është e trashëguar dhe dihet se çfarë vitesh është ndërtuar dhe për çfarë qëllimi është ndërtuar”, sjell si shembull Ljarja, megjithëse nuk ka vijë krahasimi mes Athinës e Tiranës. Për fat të keq! Mandej, ajo nuk lë pa shtuar edhe një ide, që diç më shumë tregon për frikën e artistëve, nëse ky teatër që qëndron me këmbë në paterica (siç të gjithë e dikërkan e heshtkërkan), çdo bëhet me artin, teatrin, artistët?! “Në këto termat teknike, unë si aktore nuk mund të hyj, por do të isha me parimin që le të jetë e mundur që në fillim të ndërtohet diçka, e më pas të prishet ky që është. Po u prish ky teatër, unë nuk e di se ç’mund të ndodhë. Nuk dua të hedh dyshime, a bëhet apo nuk bëhet, por unë do të isha me idenë që si fillim të ndërtohet një teatër e më pas të shembet ky që është, ose me këtë godinë le të bëhet ç’të jetë më e mira”,- e mbyll prononcimin e saj Marjeta Ljarja.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: