Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Deputeti kristiandemokrat Mark Frroku nuk ndalet. Ai vazhdon të këmbëngulë për një përballje me drejtësinë belge. Pasi mori refuzimin nga Gjykata e Lartë për të qenë i pranishëm në procesin gjyqësor ndaj tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, deputeti kristiandemokrat ka “trokitur” në dyert e drejtësisë, në vendin ku dyshohet se në 1999-ën, vrau me paramendim, në bashkëpunim, bashkëkombësin Aleksandër Kurti. Pak ditë më parë, Frroku i është drejtuar gjykatës belge, duke i kërkuar t’i garantojë të drejtën që deputeti të jetë i pranishëm në procesin gjyqësor ndaj tij. Kjo kërkesë e ndërmjetme do të depozitohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel më datë 3 shtator 2015, ora 10:00. Frroku, përmes saj, jep pëlqimin të jetë i pranishëm në gjyqin që pritet të nisë ndaj tij më 19 tetor 2015. Deputeti kërkon të mos gjykohet në mungesë, pasi pretendon se pjesëmarrja në proces është një e drejtë e garantuar me ligj. “Ne si mbrojtje kemi përgatitur dosjen që do ta dorëzojmë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel këtë të enjte. Në dosje janë vendosur të gjitha vendimet e gjykatave shqiptare ndaj Mark Frrokut, si dhe vendimet e prokurorisë për nisjen e procedimit penal, që në këndvështrimin tonë, është i kundërligjshëm dhe ekstraprocedural. Këtë të enjte ne do të dorëzojmë dosjen në gjykatën belge, ku deputeti Mark Frroku të japë pëlqimin për të qenë i pranishëm në proces. Kërkesën e bazojmë në nenin 6 të Konventës Europiane, sipas të cilit, çdo person ndaj të cilit ka një çështje penale, duhet të sigurojë të drejtën e mbrojtjes dhe pjesëmarrjes në gjykim”, – tha avokati Saimir Vishaj për “GSH”. Gjithashtu, avokati sqaroi, se do të informojnë gjykatën belge, që adresa e deputetit Mark Frroku është paraburgimi “Mine Peza” (burgu 302) në Tiranë. “Drejtësia belge duhet të vihet në dijeni se deputeti Mark Frroku nuk po i fshihet drejtësisë, por ndodhet prej muajsh në burg në Shqipëri, për të njëjtën vepër penale që po gjykohet atje”, – theksoi mbrojtësi.
Dyshimet për vrasje
Deputeti Frroku dyshohet si autor i vrasjes së Aleksandër Kurtit në 1999-ën në një stacion treni në Bruksel. Sipas prokurorisë, krimi dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e përplasjes së bandave që merreshin me shfrytëzimin e femrave për prostitucion. Për këtë krim, Frroku po gjykohet nga drejtësia belge. Mark Frroku, sipas dosjes belge, rezulton të jetë dënuar në 2002-shin në Holandë për çështje të shkeljes së ligjit për opiumin. Ai u ekstradua në Belgjikë në kuadër të urdhër-arrestit ndërkombëtar të datës 10.01.2000, dhe u arrestua më 6 maj 2004, për t’u liruar dy muaj më pas. Çështja ndaj tij ndodhet në rigjykim dhe procesi pritet të rinisë në tetor 2015. Deputeti kristiandemokrat Mark Frroku është duke u hetuar edhe për akuzat e “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”. Frroku u denoncua nga ILDKP-ja pak ditë pasi u arrestua si i dyshuar për vrasje.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb