TIRANE – Prokuroria ka qëllim vetëm burgosjen time. Duke më arrestuar, më kanë shkatërruar mua personalisht, familjen time dhe biznesin tim. Po deklaroj para jush se nuk kam kryer vrasje, s’kam bërë pastrim parash dhe as ndërtim të paligjshëm. Do t’i vërtetoj të gjitha këto që them. Por Prokurori i Përgjithshëm bashkë me kushëririn e tij kanë qëllimin e vetëm burgosjen. A thua se në prokurori s’ka prokuror tjetër veç kushëririt të kryeprokurorit”.

Deputeti kristiandemokrat bëri dje lëvizjen e radhës për t’u shpëtuar prangave, teksa kërkoi në Gjykatën e Lartë shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme që ka zgjatur hetimet edhe për tre muaj të tjerë. Avokati theksoi se zgjatja është e paarsyeshme, pasi prokuroria nuk po kryen asnjë veprim hetimor. Sipas mbrojtësit, të gjitha veprimet hetimore janë kryer nga belgët. Prokuroria tha se duke qenë çështje të lidhura, ka ende nevojë për kohë që të përfundojë hetimet e nisura, sidomos në drejtim të pastrimit të parave.

Ndërkohë që theksoi faktin se kanë nisur të vijnë letërporositë e para, siç ishte ajo nga Holanda. Në këto kushte, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjykata vendosi ta rrëzojë kërkesën e kristiandemokratit, çka do të thotë se Mark Frroku do të qëndrojë prapa hekurave deri më 28 dhjetor 2015. Ai po hetohet për akuzën e “vrasjes me paramendim, në bashkëpunim”, në dëm të Aleksandër Kurtit, në 1999-ën në Belgjikë. Për këtë ngjarje Frroku po gjykohet edhe në Belgjikë. Jashtë dyerve të gjykatës Frroku tha se arrestimi i tij është antiligjor, antikushtetues dhe politik, ndërsa deklaroi se mandatin e deputetit nuk e ka humbur.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: