TIRANË – Deputeti kristian-demokrat Mark Frroku ka hedhur poshtë të gjithë zërat e përhapur nga mediat se ai ka ndër mend të arratiset. “E kam shprehur publikisht gatishmërinë maksimale për t’u përballur me ligjin dhe drejtësinë për të gjitha akuzat”, është përgjigjur ai sot publikisht.

DEKLARATA E PLOTË E DEPUTETIT FRROKU

“Përmes këtyre radhëve dua që të shkurajoj të gjithë gojët e liga se unë Mark Frroku, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Kristian Demokrate paskam rrezik për arratisje, pasi e kam shprehur publikisht gatishmërinë maksimale për tu përballur me ligjin dhe drejtësinë për të gjitha akuzat që më janë bërë këto ditë.

Arratisja është vetëm në mendjen e atyre që më kanë cënuar mua si qytetar, politikan dhe i zgjedhur. Unë i kam hedhur poshtë me neveri të gjitha akuzat e ngritura ndaj meje dhe tani jam në të drejtën time për tu mbrojtur në të gjitha instancat ligjore, si i zgjedhur dhe si qytetar i Republikës së Shqipërisë.”

Deklarata e deputetit të PKD-së, të përfshirën në çështjen “Doshi” është nxitur nga publikimi i relacionit të Prokurorisë, që e ka argumentuar arrestimin e tij si të nevojshëm, pasi Frroku mban dy shtetësi. Në relacion thuhej:

“Siç dihet botërisht, shtetasi Mark Frroku, përveç shtetësisë shqiptare, ka edhe një shtetësi tjetër. Në këto kushte, kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues për këtë shtetas, pasi në këto kushte ai mund të rrezikojë të largohet nga territori i Shqipërisë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb