TIRANË- Zgjedhja e kryeministrit Edi Rama për të vendosur në krye të parlamentit të ri Gramoz Ruçin ka pasur kundërshtitë e veta, sidomos nga opozita. Por kundër këtij vendimi është shprehur edhe analisti dhe ish-deputeti i PD-së Mark Marku në rubrikën “Opinion” në News24.

Ai tha se nuk ka asgjë personale me deputetin socialist por se të kthesh në krye të parlamentit ish-ministrin e rendit të komunizmit është nga ana simbolike e rëndë dhe regres, raporton “BalkanWeb”.

“Pavarësisht mendimit pozitiv për Gramoz Ruçi, si një politikan i vjetër etj, të kthesh në krye të parlamentit ish-ministrin e rendit të komunizmit është regres. Në asnjë vend të Evropës Lindore nuk mund të mendohet kjo gjë. Nga pikëpamja simbolike është shumë e rëndë. Është regres. Pas 27 viteve kur ka elementë të rinj, ka struktura, nuk kuptoj si figura e dytë kryesore e një partie të mbetet ministri i diktaturës, pa pasur asgjë personale për Gramoz Ruçin”, deklaroi Marku.

Në lidhje me përfshirjen e publikut në vendimmarrje si një mjet të përdorur nga kryeministri, Marku tha se luhet fortë me propagandën dhe se shoqëria shqiptare është në një gjendje topitje dhe e përgjumur.

“Luhet fortë me propagandën. Është një publik që vazhdimisht është në presionin e fortë të propagandës. Platoni thotë që sa më i varfër dhe më i mirë të jetë një popull aq më pak do shpërthejë. Në një gjendje skllavërie kur njerëzit humbin shpresën nuk reagojnë. Ka një fazë topitje të shoqërisë. Ka një lloj frike e konformizmi. Mendoj që do pengojë të kemi një qeveri aktive. Ne kemi një shoqëri të përgjumur, të topitur dhe është duke u përkeqësuar kjo. Ne kemi diçka që i shfryn problemet e Shqipërisë, emigracioni. Çdo njeri që humb shpresën ka një valvul shfryrje, emigracioni. Një nga lëvizjet e qeverisë është krijimi i ministrisë së emigracionit që ata të shkretët që kanë ikur dhe ikin të ndiqen dhe atje me propagandë”, tha Marku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb