Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu është bashkuar mesazheve ngushëlluese për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS-së, Marko Bello, i cili humbi jetën nga koronavirusi. Ruçi theksoi se sot familja humbi njërin e dashur, ndërsa shtoi se Shqipëria humbi një personalitet që i ka shërbyer me devocion si deputet për tre legjislatura.

“Sot iku Marko Bello. Familja humbi njeriun më të dashur, bashkëshortin dhe prindin, mungesa e të cilit do t’u shkaktojë një dhimbje të thellë.

Ne humbën shokun, mikun dhe kolegun tonë të rrallë e të respektuar. Shqipëria humbi një personalitet që i ka shërbyer me devocion si deputet për tre legjislatura, si ambasador, si ministër e si profesor.
Por mbi të gjitha, të gjithë humbëm një qytetar të denjë e patriot të madh. I zgjedhur tri herë si deputet, Marko ishte një zë i fuqishëm qytetar dhe i qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Ka drejtuar me kompetencë e përkushtim disa komisione parlamentare dhe i ka dhënë nder, dinjitet e hijeshi figurës së deputetit të Kuvendit Shqipërisë. Ndaj dhimbjen e thellë për humbjen e Markos dhe, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.”, shkruan në mesazhin e tij të ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb