MAROK

Horror për vrasjen barbare të dy turisteve skandinave, 24 dhe 28 vjeç, të vrara në Marok në Alto Atlante, një zonë turistike malore në jug, shumë e populluar nga ekskursionistët.

Viktimat janë danezja Louisa Vesterager Jespersen dhe norvegjezja Maren Ueland, të cilat janë therur- me shumë gjasa gjatë fundjavës së shkuar- pranë zonës së Chamharouche, në fshatin Imlil. Sipas ëebsite Al Arabiya vajzat kanë pësuar edhe dhunë seksuale. Një i dyshuar është ndaluar në Marrakech por dyshohet se janë edhe bashkëpunëtorë të tjerë, të paktën dy.

Kontakti i fundit ka qenë në datën 9 dhjetor

‘Vajza ime është therur’, ka deklaruar Helle Peterson, nëna e viktimës daneze, e cituar nga e përditshmja B.T. Sipas informacioneve në faqen e saj në Facebook, Louisa Vesterager studionte në Norvegji, i pëlqente të bënte Guidën turistike dhe dashuronte aventurën. ‘Ishte kaq e aftë, prioriteti i saj ishte siguria, vajzat kanë marrë të gjitha masat përpara se të bënin këtë udhëtim’, ka siguruar Irene Ueland, nëna e vajzës norvegjeze.
Të dy turistet studionin në një universitet në jug të Norvegjisë dhe udhëtimi i tyre do të zgjaste një muaj. Kontakti i fundit mes Maren dhe nënës së saj Irene ishte në 9 dhjetor.

Trupat u gjendën pranë një fshati

Një polic norvegjez i kontaktuar nga ambasada daneze në Rabat kishte shkuar në Marrakech për të qenë prezent gjatë hetimeve mes autoriteteve vendase. Një zinxhirë i fortë sigurie u vendos në zonën e Imlil pas zbulimit të trupave dhe ekskursionet janë pezulluar në këtë zonë.
Fshati ku janë gjetur trupat e vajzave është një bazë nisjeje për ekskursionistët për të ngjitur majën më të lartë të Afrikës së Veriut, malin Toubkal (4.167 m). E ndodhur rreth dhjetë kilometra nga Imlil, zona e Chamharouche, që ndodhet rreth 2300 metra mbi nivelin e detit, është vendi ku shumë turistë pushojnë, përpara se të nisin aventurën e tyre.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb